Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Shreveport në SHBA, ku tetë fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri që, sipas mediave amerikane, ka nisur pas një konflikti familjar.
Sipas autoriteteve lokale, viktimat janë fëmijë të moshës nga 1.5 deri në 14 vjeç. Të shtënat janë regjistruar rreth orës 06:00 të mëngjesit, duke lënë gjithashtu të plagosura dy gra, të cilat fatmirësisht kanë mbijetuar.
View this post on Instagram
Shefi i policisë së Shreveportit, Wayne Smith, e ka cilësuar vendngjarjen si një nga skenat më të rënda kriminale të hasura ndonjëherë në qytet, duke theksuar se janë goditur gjithsej dhjetë persona.
Hetimet paraprake tregojnë se ngjarja është zhvilluar në disa zona të qytetit, duke nisur në lagjen Cedar Grove. Autori i dyshuar, një burrë i rritur i lidhur familjarisht me disa nga fëmijët, më pas është larguar me një automjet të vjedhur, duke shkaktuar një ndjekje intensive nga policia.
Fuga e tij ka përfunduar në Bossier City, ku është përballur me forcat e rendit dhe është vrarë në një shkëmbim zjarri.
Policia e Shtetit të Luizianës ka marrë drejtimin e hetimeve, me qëllim zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje tragjike. Autoritetet kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke kërkuar çdo informacion, foto apo video që mund të ndihmojë në hetim.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik amerikan, duke rikthyer në vëmendje debatin e fortë mbi dhunën me armë në Shtetet e Bashkuara dhe sigurinë e komuniteteve lokale.

