Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka anuluar të gjitha kontratat e mbetura për ndihmë humanitare në Afganistan. Administrata e presidentit Donald Trump synon që të shfuqizojë agjencinë deri në korrik. Po ashtu, USAID anuloi kontratat e mbetura të punës së saj të ndihmës humanitare për Jemenin.
Sipas zyrtarit të USAID-it, i cili foli për CNN, kontratat e anuluara janë përdorur për ndihmë ushqimore, ujë të pijshëm të sigurt, produkte higjienike, shërbime mjekësore duke përfshirë trajtimin e grave dhe fëmijëve si dhe mbështetje në strehimore.
“Sekretari i Shtetit, Marco Rubio kishte nënshkruar zgjatje për disa nga kontratat e ndihmës së huaj javën e kaluar, por ato u anuluan këtë fundjavë”, tha zyrtari.
CNN raportoi këtë fundjavë se administrata anuloi kontrata të tjera për punë që më parë ishte dhënë drita jeshile për të vazhduar, duke përfshirë Sirinë, Gazën dhe Libanin.
Ndërprerja për programet e anuluara thanë se ato konsideroheshin “në kundërshtim me prioritetet e administratës”. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha CNN këtë fundjavë se “vetëm për shkak se kontratat ndërpriten, nuk do të thotë se ato nuk mund të rikthehen sipas nevojës”.








