BOTA /

Australi / Sulmi terrorist me 12 të vdekur e 29 të plagosur trondit botën, reagime të forta nga Izraeli e BE-ja

Kryeministri australian Anthony Albanese i përshkroi pamjet pas sulmit si “tronditëse dhe thellësisht shqetësuese”. Netanyahu akuzon qeverinë australiane për nxitje të antisemitizmit. Von der Leyen: Evropa qëndron krah Australisë dhe komunitetit hebre

Shkruar nga Versus

Australi / Sulmi terrorist me 12 të vdekur e 29 të plagosur trondit

Sulmi i rëndë terrorist në Sydney të Australisë, ku deri tani raportohet për të paktën 12 viktima dhe 29 persona të plagosur, ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Ngjarja e përgjakshme ndodhi gjatë një aktiviteti fetar të komunitetit hebre, i cili po kremtonte festën e Hanukkah, duke e kthyer sulmin në një çështje me jehonë globale.

Kryeministri australian Anthony Albanese i përshkroi pamjet pas sulmit si “tronditëse dhe thellësisht shqetësuese”, ndërsa bëri të ditur se kishte thirrur menjëherë Komitetin e Sigurisë Kombëtare.

Australi / Sulmi terrorist me 12 të vdekur e 29 të plagosur trondit

“Policia dhe shërbimet e emergjencës ndodhen në terren dhe po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetë”, deklaroi Albanese, duke shtuar se mendimet e tij janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ai konfirmoi gjithashtu se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e Policisë Federale Australiane dhe autoritetet e Uellsit të Ri Jugor, ndërsa priten përditësime të tjera zyrtare mbi hetimet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke, bëri me dije se kryeministri do t’i drejtohet Parlamentit pas mbledhjes së komitetit të sigurisë.

Australi / Sulmi terrorist me 12 të vdekur e 29 të plagosur trondit

Netanyahu akuzon qeverinë australiane për nxitje të antisemitizmit
Reagimi më i ashpër erdhi nga Tel Avivi. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, disa orë pas sulmit, deklaroi se kishte paralajmëruar më herët kryeministrin Albanese për rritjen e antisemitizmit në Australi.

Netanyahu tha se në muajin gusht i kishte dërguar një letër qeverisë australiane, ku e akuzonte për politika që, sipas tij, po “i hedhin benzinë zjarrit të antisemitizmit”, duke përmendur edhe qëndrimin e Canberrës për njohjen e një shteti palestinez.

“Antisemitizmi është një kancer. Ai përhapet kur udhëheqësit heshtin. Dobësia duhet zëvendësuar me veprime”, theksoi Netanyahu, duke e cilësuar sulmin në Sydney si “vrasje me gjakftohtësi”.

Ai shtoi se Izraeli është në një betejë të vazhdueshme kundër antisemitizmit global dhe se kjo luftë, sipas tij, mund të fitohet vetëm përmes denoncimit të hapur dhe veprimit të vendosur. Netanyahu la të kuptohet se disa qeveri perëndimore jo vetëm që nuk e luftojnë mjaftueshëm këtë fenomen, por në disa raste e nxisin atë përmes politikave të tyre.

Australi / Sulmi terrorist me 12 të vdekur e 29 të plagosur trondit

Von der Leyen: Evropa qëndron krah Australisë dhe komunitetit hebre
Edhe Bashkimi Evropian reagoi pas sulmit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh e tronditur nga ngjarja e rëndë në Bondi Beach.

“U shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave”, deklaroi ajo në platformën X, duke theksuar se Evropa qëndron në solidaritet të plotë me Australinë dhe komunitetet hebraike kudo në botë.

“Ne jemi të bashkuar kundër dhunës, antisemitizmit dhe urrejtjes”, përfundoi Von der Leyen.

Ngjarja në Sydney po konsiderohet si një nga sulmet më të rënda me motiv fetar në Australi vitet e fundit, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të autorëve.

Poll