
Një libër komik japonez paralajmëron për një "katastrofë të vërtetë". Një fallxhore parashikon shkatërrim masiv. Një mjeshtër i feng shuit i nxit njerëzit të qëndrojnë larg.
Kjo mund të tingëllojë si komploti i një filmi me katastrofa, por për industrinë e turizmit në Japoni, një valë e kohëve të fundit e të ashtuquajturave “parashikime” të lidhura me tërmetet, si këto, ka bërë që udhëtarë më supersticiozë, veçanërisht në Azinë Lindore, të anulojnë ose shtyjnë pushimet e tyre.
Sizmologët kanë paralajmëruar prej kohësh se parashikimi i saktë i kohës kur mund të ndodhë një tërmet është pothuajse i pamundur .
Por frika nga një “fall i madh”, e amplifikuar si nga fallxhorët ashtu edhe nga mediat sociale, po i bën disa udhëtarë të tremben, shkruan CNN.
Dhe për shumë prej tyre, është një libër komik që po i tremb.
E botuar nga artistja e mangave Ryo Tatsuki e cila është cilësuar si 'Baba Vanga i Japonisë' në vitin 1999, libri “E ardhmja që pashë” paralajmëroi për një katastrofë të madhe në mars të vitit 2011, një datë që rezultoi të përkonte me tërmetin kataklizmik që goditi rajonin verior Tohoku të Japonisë atë muaj.
“Versioni i saj i plotë”, i publikuar në vitin 2021, pretendonte se tërmeti i madh i radhës do të ndodh korrikun e këtij viti.

Në të njëjtën kohë, fallxhorët nga Japonia dhe Hong Kongu kanë ndarë paralajmërime të ngjashme, duke shkaktuar panik të pabazuar në internet që ka çuar në një mori anulimesh të planeve të udhëtimit nga destinacionet në rajon.
CN Yuen, drejtor menaxhues i WWPKG, një agjenci udhëtimesh me seli në Hong Kong, tha se rezervimet për në Japoni ranë përgjysmë gjatë pushimeve të Pashkëve dhe pritet të bien më tej në dy muajt e ardhshëm.
Spekulimet kanë trembur kryesisht udhëtarët nga Kina kontinentale dhe Hong Kongu, të cilët janë përkatësisht burimi i dytë dhe i katërt më i madh i turistëve në Japoni.
Por frika është përhapur edhe në tregje të tjera si Tailanda dhe Vietnami, ku platformat e mediave sociale janë të mbushura me postime dhe video që i paralajmërojnë njerëzit të mendohen dy herë para se të udhëtojnë në Japoni.
Ankthet e provokuara nga këto profeci, sipas Yuen, janë “ngulitur”. Ai shtoi se “njerëzit thjesht thonë se duan ta shtyjnë udhëtimin e tyre për momentin”./Versus.al







