Pasi dronë të dyshuar rusë shkelën hapësirën ajrore të NATO-s në javët e fundit, duke mbyllur aeroportet dhe duke tronditur qytetarët, ushtritë dhe qeveritë evropiane e gjejnë veten në një epokë të re konflikti me një nevojë urgjente për të forcuar mbrojtjen e tyre.
Kur kanë kaluar mbi 3 vite nga nisja e luftës në Ukrainë, Bashkimi Europian ende nuk është gati të mbrohet nga mjetet ajrore pa pilot, të cilat Rusia mund t’i lëshojë nga anijet kontejnere në brigje drejt Evropës.
Kjo u theksua nga Komisioneri Europian i Mbrojtjes Andrius Kubilius, sot në Bruksel gjatë Konferencës së pestë Evropiane për Sigurinë dhe Mbrojtjen.
"Tani, është koha për të përmbushur premtimet tona. Gjatë 10 muajve të fundit, ne kemi përgatitur terrenin për të arritur gatishmërinë mbrojtëse deri në vitin 2030. Ne duhet të jemi gati para vitit 2030, sepse Vladimir Putin do të jetë gati.
Ne e dimë se ku është Rusia tani dhe ku mund të jetë para vitit 2030. Rusia prodhon më shumë municione në tre muaj sesa të gjithë anëtarët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë evropianët, prodhojnë në një vit. Kjo është katër herë më shumë", tha komisioneri lituanez
Vendet aleate janë të zënë midis nevojës për të zhvilluar zgjidhje afatgjata për të adresuar kërcënimet e vazhdueshme hibride të Rusisë dhe një nevoje më të menjëhershme për të ndihmuar civilët të përgatiten për valën e ardhshme të mundshme të dronëve. Zgjidhjet përfshijnë nga sistemet shumështresore të mbrojtjes ajrore deri te praktikat civile të shënjestrimit kundër dronëve. Versus.al







