Bashkimi Evropian ka propozuar një sistem të ri të përbashkët për kthimin e emigrantëve të paligjshëm, duke kaluar nga veprime të izoluara të shteteve anëtare në një qasje të koordinuar evropiane. Iniciativa përfshin një rregullore të qartë e të unifikuar, të cilën Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e prezantoi si një “urdhër të ri evropian për kthim”, që do të garantojë njohje të ndërsjellë të vendimeve të riatdhesimit.
“Ata që do të riatdhesohen me forcë, do të ndalohen të hyjnë në BE sërish,” theksoi Von der Leyen. “Kur ka rreziqe sigurie, do të jemi të vendosur, por gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare,” shtoi ajo.
Ky sistem synon të:
Parandalojë arratisjet e personave që presin deportim;
Lehtësojë riatdhesimin e qytetarëve nga vendet e treta që nuk kanë të drejtë qëndrimi;
Unifikojë procedurat ligjore, duke shmangur vendime kontradiktore nga gjykatat kombëtare.
Italia dhe Shqipëria si precedent: Rregullorja mbështet marrëveshjen mes dy vendeve
Sipas zyrtarëve evropianë, ky sistem i ri do të forcojë marrëveshje bilaterale si ajo mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila parashikon ngritjen e qendrave pritëse për emigrantët në Gjadër dhe Shëngjin. Kjo marrëveshje ka hyrë tashmë në fazën e zbatimit, pavarësisht kundërshtimeve ligjore në Itali, pasi disa gjykata italiane i kanë konsideruar këto masa si shkelje të të drejtave të njeriut.
Por me miratimin e rregullores së re evropiane, vendimet kombëtare nuk do të kenë më fuqi për të bllokuar riatdhesimet, çka i jep një bazë më të fortë ligjore veprimeve të tilla.Edhe Britania ndjek modelin – synon marrëveshje me Kosovën
Ndërkohë, Britania e Madhe, edhe pse jashtë BE-së, ka shprehur interes të ndjekë një model të ngjashëm. Mediat raportojnë se Londra po negocion me Kosovën për ndërtimin e një qendre emigrantësh, sipas të njëjtit model si marrëveshja Itali-Shqipëri. Zona e përfolur është Gjadri i Lezhës, ndërsa bisedimet janë në faza të hershme. /Versus.al/







