Ka nisur në orën 10:00 ceremonia mortore e Papa Françeskut, i cili do të varroset Baziliken Santa Maria Maggiore. Procesioni i kardinalëve në Bazilikën e Shën Pjetrit shënoi fillimin e ceremonisë mortore.Arkivoli i kreut të Kishës Katolike u mbajt mbi supe nga sediarët, duke dalë nga Bazilika e Shën Pjetrit. Sheshi shpërtheu në duartrokitje. Mbi arkivolin e Papës Françesku është vendosur Ungjilli i hapur.
10 mbretër dhe mbretëresha, 50 krerë shtetesh, 23 kryeministra, delegacione nga 160 vende, rreth 4000 meshtarë dhe të paktën 120 delegacione me përfaqësues fetarë nga e gjithe bota janë të pranishë në ceremoni.
Sheshi Shën Pjetër është pothuajse i mbushur me kapacitetin maksimal prej 50 mijë vetash.Vlerësohet se rreth 150 mijë persona të tjerë ndodhen tashmë përgjatë rrugës "Via della Conciliazione" dhe në rrugët hyrëse drejt sheshit.
Në Sheshin Shën Pjetër kanë mbërritur po ashtu figura të larta të skenës ndërkombëtare politike dhe diplomatike.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka hyrë në Vatikan së bashku me delegacionin e OKB-së përmes hyrjes së rezervuar për autoritetet në rrugën e Stacionit të Vatikanit. Në mënyrë të veçantë është shënuar mbërritja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Melania Trump. Delegacioni amerikan ka hyrë nga Porta e Peruginos, e caktuar për autoritetet e larta ndërkombëtare. Në ceremoni është i pranishëm edhe ish-presidenti amerikan Joe Biden, i cili ka mbërritur në Sheshin Shën Pjetër për të nderuar figurën e Papës Françesku.
Ndërkohë, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka qenë ndër të parët që ka mbërritur në shesh, duke përfaqësuar shtetin mikpritës të Vatikanit në një nga momentet më të rëndësishme ceremoniale të dekadës.
Po ashtu, në Vatikan ka mbërritur edhe delegacioni zyrtar i Federatës Ruse, i kryesuar nga Ministrja e Kulturës, Olga Borisovna Lyubimova, e cila do të përfaqësojë Rusinë në ceremoninë mortore.
Nga Shqipëria është presidenti Bajram Begaj, ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit, Adea Pirdeni.








