Në një atmosferë të tensionuar të shkaktuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, dasma e Avner Netanyahu, djali i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, është shtyrë për një kohë të pacaktuar. Lajmin e konfirmuan organizatorët e eventit, duke bërë me dije se shkaku ishte statusi i emergjencës kombëtare në Izrael dhe kufizimet e rrepta të Komandës së Frontit të Brendshëm.
Dasma luksoze ishte planifikuar të mbahej më 16 qershor në Ronit Farm, një nga lokalet më të njohura dhe ekskluzive në veri të Tel Avivit. Por për shkak të situatës së sigurisë, autoritetet izraelite ndaluan të gjitha grumbullimet publike në kuadër të Niveleve të Alarmit 4, që përfshijnë masa të rrepta mbrojtjeje nga sulmet e mundshme me raketa, pas intensifikimit të kërcënimeve nga Irani dhe aleatët e tij në rajon.
Shtypi izraelit shkruan se dasma, që kishte zgjuar interes të madh publik për shkak të profilit të lartë të të ftuarve dhe përgatitjeve luksoze, është shtyrë pa një datë të re, duke reflektuar klimën e pasigurisë që ka përfshirë vendin.
Megjithatë, disa media lokale kanë ngritur teori alternative, duke sugjeruar se zhurma mediatike rreth dasmës – përfshirë informacionet mbi listën me mbi një mijë të ftuar dhe veshjet ekstravagante – mund të ketë qenë një manovër për të shpërqendruar vëmendjen ndërkombëtare, ndërsa ushtria izraelite përgatitej për ofensivën ndaj Iranit.
Në të njëjtën kohë, një tjetër ngjarje e madhe publike, Parada e Krenarisë në Tel Aviv, e planifikuar nga komuniteti LGBTQ+, u anulua gjithashtu për arsye sigurie.
Ndërkohë, zëdhënës të qeverisë izraelite njoftuan se kryeministri Netanyahu planifikonte të kalonte një fundjavë të qetë në veri me bashkëshorten Sara, përpara se të merrte pjesë në dasmë – një plan që më pas u pezullua. Sipas të njëjtave burime, kabineti qeveritar pritet të mblidhet për të diskutuar negociatat për lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gaza nga Hamasi, ndërsa konflikti në rajon mbetet i ndezur dhe i paparashikueshëm./Versus.al/







