Një rast që bëri bujë në të gjithë botën. Gjyqi i një gruaje të akuzuar për vrasjen e dy fëmijëve të saj dhe lënien e trupave të tyre në valixhe për vite me radhë filloi këtë të hënë në Zelandën e Re.
Hakyung Lee, 44 vjeç, akuzohet për vrasjen e fëmijëve të saj, Minu Jo dhe Yuna Jo, përkatësisht 6 dhe 8 vjeç, në qershor 2018. Mbetjet mortore të fëmijëve të saj u gjetën 4 vjet më vonë, në gusht 2022, në bagazh në një njësi të braktisur magazinimi në Auckland.
Mbetjet u zbuluan pasi nëna ndaloi së paguari qiranë e njësisë së magazinimit për shkak të vështirësive financiare në vitin 2022. Përmbajtja e dollapit u nxor më pas në ankand online, pak para se blerësit e rinj të bënin zbulimin e tmerrshëm.
Hakyung Lee, një shtetase e Zelandës së Re me prejardhje nga Koreja e Jugut, udhëtoi për në Korenë e Jugut dhe ndryshoi emrin e saj në vitin 2018, menjëherë pasi vrau fëmijët e saj. Ajo u arrestua në shtator 2022 në Korenë e Jugut dhe u ekstradua dy muaj më vonë. Sipas autoriteteve të Koresë së Jugut, ajo kishte dhënë pëlqimin me shkrim për ekstradimin e saj pas një kërkese zyrtare nga Zelanda e Re për ta kthyer atë për gjykim.
Një juri u formua të hënën për gjyqin e saj në Gjykatën e Lartë në Auckland, i cili pritet të zgjasë katër javë. Prokuroria njoftoi se do të thërrasë deri në 40 dëshmitarë.
44-vjeçarja, e cila përfaqëson veten, por ka dy avokatë në dispozicion nëse është e nevojshme, nuk tha asnjë fjalë gjatë seancës dëgjimore dhe vetëm tundi kokën kur u pyet nëse deklarohej fajtore apo jo për akuzat.
Shkaku i vdekjes së fëmijëve mbetet i panjohur, por dokumentet e gjykatës tregojnë se ata mund të jenë vrarë nga ilaçet e gjumit, me gjurmë të gjetura në trupat e tyre nga hetuesit mjeko-ligjorë.
Burri i Hakyung Lee vdiq në vitin 2017 pas një periudhe përkeqësimi të shëndetit, sipas Radio New Zealand . Gjykatësi Geoffrey Venning u tha anëtarëve të jurisë të hënën se ata me shumë mundësi do të merrnin në konsideratë shëndetin mendor të Lee në kohën e krimit.
Ministria e Drejtësisë e Koresë së Jugut tha se i ka ofruar Zelandës së Re "prova të rëndësishme" që ende nuk janë specifikuar në këtë rast.







