SHBA- Ish-presidenti Donald Trump deklaroi ditën e djeshme se do të ketë një takim me Zelenskyn më 27 shtator në kullën Trump në Nju Jork.
Ai bëri edhe disa deklarata të tjera lidhur me luftën në Ukrainë, duke e cilësuar si “të turpshme” atë që po ndodh. Ndërsa theksoi edhe rolin e vogël që Evropa po luan krahasuar me SHBA-të të cilat po paguajnë shuma të mëdha parash si ndihma për Ukrainën edhe pse janë shumë më larg vendit ku po zhvillohet lufta.
“Është një turp ajo që po ndodh në Ukrainë: kaq shumë vdekje, kaq shumë shkatërrime. Është një gjë e tmerrshme. Dhe një nga gjërat që më shqetëson shumë është fakti që Evropa po paguan vetëm një pjesë të vogël të parave që po paguajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne kemi një oqean midis Rusisë dhe vetes. Ata jo”- u shpreh Trump.
“Besoj se do të jem në gjendje të bëj një marrëveshje midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Zelensky, shpejt”, u tha Trump gazetarëve në Nju Jork.
Kandidati presidencial njihet si një ndër kritikët për luftën në Ukrainë dhe ndihmën që SHBA-të po i japin shtetit të drejtuar nga Volodymyr Zelensky. Ky i fundit pati një takim më herët me presidentin amerikan Joe Biden ku mori garancinë se Amerika do të vijojë të ndihmojë Ukrainën në luftën ndaj Rusisë. Versus.al








