
SHBA- Policia e Xhorxhias ka arrestuar babain e nxënësit 14-vjeçar që vrau tragjikisht me armë zjarri dy gjimnazistë dhe dy mësues, ndërsa plagosi nëntë të tjerë në një shkollë të mesme të mërkurën (4 shtator), vetëm pak javë pas fillimit të vitit të ri shkollor.
Zyrtarët e shtetit të Xhorxhias akuzuan Colin Grey, 54 vjeç, babanë e të armatosurit të dyshuar me dy akuza për vrasje të shkallës së dytë, më e rënda e paraqitur ndonjëherë kundër prindit të një sulmuesi.
Arrestimi erdhi në më pak se 36 orë pasi dy studentët dhe dy mësuesit u qëlluan me një pushkë të tipit AR-15, të cilën, sipas hetuesve, burri lejoi që djali i tij 14-vjeçar ta posedonte, shkruan CNN.
Së bashku me vrasjen, mbi Colin Grey rëndojnë edhe katër akuza për vrasje të pavullnetshme dhe tetë akuza për mizori ndaj fëmijëve.
Ndërkohë djali i tij, Colt Grey është akuzohet për katër vrasje me dashje.
Adoleshenti është akuzuar si i rritur për vdekjen e nxënësve të shkollës, Mason Schermerhorn dhe Christian Angulo, të dy 14 vjeç, dhe mësuesve Richard Aspinwall, 39 vjeç dhe Christina Irimie, 53 vjeç.
Të paktën nëntë persona të tjerë, shtatë studentë dhe dy mësues, u dërguan në spital.
“Babai me vetëdije e ka lejuar të posedojë armën. Akuzat e tij lidhen drejtpërdrejt me veprimet e djalit të tij", tha Chris Hosey, drejtor i Byrosë së Hetimit të Xhorxhias, në një konferencë shtypi mbrëmjen e djeshme, ku nuk dha detaje të tjera mbi atë që çoi në vendimin e akuzës./ Versus.al







