Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur të shtunën pasdite në komunën bregdetare Pirou, në rajonin e La Manche në Francë, ku një automjet përplasi disa kalimtarë, duke shkaktuar një viktimë dhe tre të plagosur rëndë.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga AFP dhe autoritetet lokale, shoferi i automjetit, që drejtonte një makinë me kambio automatike, dyshohet se pësoi një gjendje të fikëti gjatë drejtimit. Si pasojë, makina humbi kontrollin, përshkoi disa metra dhe përplasi një grup këmbësorësh.
“Nga të dhënat e para, duket se shoferi pësoi një krizë shëndetësore. Automjeti vazhdoi rrugën pa kontroll për disa metra dhe përplasi një grup personash. Një grua humbi jetën, ndërsa tre të tjerë janë në gjendje kritike,” – deklaroi prokurori i Coutances, Gauthier Poupeau.
Autoritetet kanë përjashtuar kategorikisht pistën e një akti të qëllimshëm, duke e cilësuar ngjarjen si një aksident tragjik. Sipas raportimeve të mediave vendase, si Ouest-France, automjeti ka përplasur edhe terasën e një picerie pranë plazhit.
Prefektura e La Manche konfirmoi se gjithsej gjashtë persona janë marrë në ndihmë nga ekipet e urgjencës: katër këmbësorë dhe dy persona që ndodheshin në automjet.
Më shumë se 30 zjarrfikës dhe ekipe të shpëtimit ndërhynë menjëherë në vendin e ngjarjes, në një zonë të frekuentuar pranë plazhit të Pirou, një destinacion i njohur turistik në këtë periudhë vere.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë në vijim.







