Fuqitë evropiane kanë nisur përgatitjet për planin e tyre të dërgimit të trupave mbrojtëse në Ukrainë, ndërsa SHBA ka një tjetër ide, krijimin e një zone të çmilitarizuar mes Rusisë dhe Ukrainës ku vetë Amerika të ketë një rol drejtues.
Sipas planit të SHBA, zona në fjalë do të monitorohej nga satelitë dhe dronë amerikanë, por në të nuk do të ketë trupa tokëse nga shtete të NATO-s. Në vend të këtyre trupave ushtarake, SHBA po merr në konsideratë praninë e forcave nga vende që s’janë pjesë e aleancës, si për shembull Arabia Saudite apo Bangladeshi.
“Në një skenar të tillë, asnjë ushtar amerikan nuk do të dislokohet në Ukrainë dhe NATO do të qëndrojë jashtë, për të mos kaluar “vijat e kuqe” të Kremlinit. Në të njëjtën kohë, Kievi do të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe sigurie me partnerë jashtë kornizës së nenit 5 të NATO-s”, thuhet në artikullin e NBCNeës.
Presidenti rus Vladimir Putin do të duhet të bjerë dakord me çdo plan për garanci sigurie për Ukrainën, dhe përfshirja e NATO-s apo edhe sugjerimi i saj është një çështje kyçe për të, ndaj po bëhen përpjekje që në plan të shmanget krejtësisht përdorimi i forcave të aleancës veri-atlanike.
Një sfidë kyçe është përcaktimi i asaj që do të konsiderohej si shkelje nga Rusia dhe si duhet të jetë reagimi. Një pjesë tjetër e bisedimeve lidhet me Detin e Zi, ku Turqia do të jetë përgjegjëse për sigurimin e kalimit të lirë të anijeve.
Për momentin, plani mbetet vetëm një ide në letër, sepse ai nuk mund të avancojë pa miratimin e Putinit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësve të vendeve të tjera që do të ishin të përfshira në garancitë e sigurisë, përfshirë Presidentin amerikan Donald Trump. Versus.al







