Gjermania po harton plane për zgjerimin e shpejtë të rrjetit të saj të strehimeve dhe bunkerëve të mbrojtur nga bombat, ka bërë të ditur zyrtari më i lartë i mbrojtjes civile në vend. Alarmi lidhet me frikën e një sulmi të mundshëm nga Rusia brenda katër viteve të ardhshme.
Ralph Tiesler, kreu i Zyrës Federale për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën në Katastrofa (BBK), u shpreh se ekonomia më e madhe e Europës duhet të përballet me realitetin e rrezikut dhe se aktualisht Gjermania është e papërgatitur për një konflikt madhor.
“Për një kohë të gjatë, në Gjermani mbizotëronte bindja se lufta nuk ishte një skenar për të cilin duhej të përgatiteshim. Kjo ka ndryshuar. Tani jemi të shqetësuar për rrezikun e një lufte agresioni në Europë,” tha ai për gazetën Süddeutsche Zeitung.
Tiesler kërkoi një përpjekje kombëtare për të përdorur hapësira ekzistuese si tunelet, metrotë, garazhet nën tokë, parkimet dhe bodrumet e ndërtesave publike për t’i kthyer ato në strehime, duke synuar krijimin e hapësirës për të paktën 1 milion njerëz. Agjencia e tij pritet të paraqesë një plan të plotë gjatë verës.
Ai paralajmëroi se vendi është në një garë me kohën dhe se nuk është e mjaftueshme të mbështetesh vetëm te ndërtimi i strehimeve të reja – pasi ato kërkojnë kohë të gjatë dhe kosto të lartë. Prandaj, sipas tij, strukturat ekzistuese duhet të merren seriozisht në konsideratë tani.
Lufta në Ukrainë ka ndezur frikën në vende të tjera, veçanërisht në shtetet baltike, Poloni dhe Gjermani, se Moska mund të hapë fronte të reja në Europë.
Gjatë natës, forcat ruse bombarduan qytetin ukrainas Kharkiv, duke lënë tre të vrarë dhe 22 të plagosur. Kryebashkiaku Ihor Terekhov e quajti “sulmin më të fuqishëm që nga nisja e luftës në shkallë të plotë”.
Sot, nga rreth 2,000 bunkerë të ndërtuar në Gjermani gjatë Luftës së Ftohtë, vetëm 580 janë funksionalë, dhe shumica kanë nevojë për investime të mëdha. Ato mund të strehojnë vetëm 480,000 persona – më pak se 0.5% e popullsisë. Për krahasim, Finlanda ka 50,000 dhoma strehimi për 4.8 milion banorë, ose 85% të popullsisë.
Tiesler tha se përveç infrastrukturës, nevojitet përmirësim i sistemeve të informacionit publik, si aplikacionet, sinjalistika dhe alarmet zanore. Po ashtu, duhen mbrojtje më të forta kibernetike për aplikacionet ekzistuese, që të mos bien pre e hakerëve.
Ai i kërkoi qeverisë së Friedrich Merz që të sigurojë financimin e nevojshëm për zbatimin e planeve të BBK-së. Ndërsa është rënë dakord për domosdoshmërinë e tyre, fondet ende nuk janë miratuar zyrtarisht.
Paratë pritet të vijnë nga miliardat e liruar pas pezullimit të kufirit të borxhit nga Bundestagu në mars, që parashikon investime të mëdha për mbrojtjen, infrastrukturën e rëndësishme (si ura e rrugë për lëvizjen e mjeteve ushtarake) dhe mbrojtjen civile.
Për fonde po konkurrojnë edhe shërbimet e inteligjencës dhe strukturat e sigurisë kibernetike, të cilat gjithashtu janë në nevojë të madhe për investime.
Sipas llogaritjeve të Tiesler, të paktën 10 miliardë euro do të nevojiten në katër vitet e ardhshme për mbrojtjen civile, dhe 30 miliardë euro deri në fund të dekadës.
Ai gjithashtu bëri thirrje për krijimin e një shërbimi civil të detyrueshëm apo vullnetar, dhe u kërkoi qytetarëve që të kontribuojnë në rritjen e qëndrueshmërisë kombëtare duke krijuar rezerva ushqimore dhe uji për emergjenca.
“Këshilla jonë është: krijoni rezerva për të paktën 10 ditë në rast mungesash energjie apo uji,” tha Tiesler, duke theksuar se edhe një rezervë për 72 orë do të ishte shumë e vlefshme për përballimin e ndërprerjeve të vogla në jetën e përditshme.







