Policia në një nga destinacionet më të njohura turistike të Spanjës, Ibiza, ka nisur një hetim pas zbulimit tronditës të disa trupave të pajetë në det, me duart dhe këmbët e lidhura.
Të paktën pesë kufoma janë nxjerrë nga Garda Civile në Detin Balear, pranë ishullit turistik, dhe besohet se i përkasin emigrantëve që kanë tentuar të kalojnë detin nga Algjeria drejt bregut spanjoll, një rrugë e rrezikshme që ka marrë mijëra jetë.
Megjithatë, ndryshe nga rastet e tjera të ngjashme, këta trupa janë gjetur me shenja të qarta dhune – me duar dhe këmbë të lidhura – çka ka ngritur dyshime për një vrasje të qëllimshme dhe jo një mbytje aksidentale.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të sqaruar rrethanat e vdekjes së tyre. Sidoqoftë, procesi është mjaft i vështirë për shkak të natyrës ilegale të udhëtimeve, ku shumë nga udhëtarët nuk raportojnë abuzimet që përjetojnë gjatë kalimit nga brigjet algjeriane, nga frika e autoriteteve.
Zbulimi i trupave është bërë gjatë muajit të fundit, por hetimi është mbajtur në fshehtësi të plotë deri më tani. Njëri prej trupave u gjet më 18 maj, rreth orës 17:00, kur një jaht me flamur belg që lundronte në ujërat perëndimore të Formenterës njoftoi autoritetet për një trup që notonte në det.
Ky rast shton edhe më shumë shqetësimet mbi trafiqet e rrezikshme të qenieve njerëzore dhe krimet që ndodhin gjatë rrugëve të migrimit në Mesdhe. Autoritetet spanjolle po vijojnë hetimet për të zbuluar se kush qëndron pas këtyre vrasjeve dhe për të identifikuar viktimat. /Versus.al/







