Greqi- Një tërmet me magnitudë 5.9 tronditi ishullin e Kasos gjatë mbrëmjes së djeshme duke ngjallur panik mes rreth 1 mijë banorëve të kësaj zone.
Ishulli shtrihet në detin Egje mes Kretës dhe Rodosit, ndërsa autoritetet kanë dhënë alarmin për cunami të mundshëm duke u kërkuar banorëve të qëndrojnë larg bregut të detit.
Dridhja u ndje deri në Egjipt. Qendra Gjermane e Kërkimeve për Gjeoshkencë (GFZ) tha se tërmeti ishte në një thellësi prej 83 kilometrash.
GFZ e regjistroi tërmetin si me magnitudë 6.3, sipas agjencisë së lajmeve AFP, më i lartë se ai i raportuar nga autoritetet greke. Dridhjet nga tërmeti u ndjenë deri në Izrael dhe Turqinë jugperëndimore.
Njerëzit në Egjipt gjithashtu e ndjenë tërmetin, me Institutin Kombëtar të Kërkimeve të Astronomisë dhe Gjeofizikës të vendit që raportoi një magnitudë prej 6.4, por pa viktima ose dëme materiale.
Greqia ndodhet në një numër pllakash tektonike të çara dhe goditet herë pas here nga tërmetet.
Midis 26 janarit dhe 13 shkurtit, më shumë se 18,400 tërmete, kryesisht me magnitudë të ulët, u regjistruan pranë ishujve në arkipelagun e Cikladeve, përfshirë ishullin turistik të njohur të Santorinit, sipas laboratorit të sizmologjisë të Universitetit të Athinës. Versus.al







