FBI-ja ka konfirmuar se ngjarja tragjik në New Orleans, në SHBA, ku një person u fut me makinë në një turmë njerëzish duke vrarë dhjetë persona dhe duke lënë të paktën 35 të plagosur, po hetohet si një akt terrorizmi.
“Këtë mëngjes, një individ futi një makinë në një turmë njerëzish në rrugën Bourbon në New Orleans, duke vrarë një numër personash dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë,” thuhet në deklaratën zyrtare të FBI-së.
Më tej, deklarata sqaron se autori i sulmit u përball me forcat lokale të rendit dhe është konfirmuar i vdekur.
Sipas BBC-së, shkaku i vdekjes së tij nuk është ende i qartë.
“FBI është agjencia kryesore hetimore dhe po bashkëpunojmë me partnerët tanë për të hetuar këtë si një akt terrorizmi,” përfundon deklarata.
Raportohet se nga 35 të plagosurit, 30 janë dërguar me autoambulancë në pesë spitale të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër kanë kërkuar vetë kujdesin spitalor.
Mes të plagosurve janë dy policë, të cilët u qëlluan nga sulmuesi, i cili hapi zjarr pasi ra në turmë në lagjen franceze të qytetit.
Në një konferencë të mëparshme për shtyp, FBI tha se një pajisje shpërthyese e improvizuar u gjet në vendngjarje dhe agjentët po vlerësojnë funksionimin e saj.








