Samiti i G7-ës, i zhvilluar në Kanada nga 15 deri më 17 qershor, ka ndryshuar rrënjësisht fokusin e tij. Nga çështjet e Ukrainës dhe luftës tregtare të Donald Trump, tani gjithë vëmendja është drejtuar te përplasja e nxehtë në Lindjen e Mesme, që rrezikon të përfshijë botën në një krizë të re.
Grupi i shtatë fuqive më të mëdha perëndimore — Britania, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja, Japonia dhe SHBA — kërkojnë që Uashingtoni të luajë rol kyç. Dhe këtu hyn Donald Trump, i cili shihet si i vetmi lider me ndikim të vërtetë mbi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, pavarësisht se Izraeli nisi sulmet pa mbështetjen e qartë amerikane.
Liderët e G7 e kuptojnë rrezikun e përshkallëzimit: një luftë më e madhe do të godasë sigurinë globale dhe do të rrisë çmimet e naftës, duke përkeqësuar edhe më shumë situatën ekonomike.
Ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron kërkojnë qetësim dhe dialog, kryeministri japonez Shigeru Ishiba dënon ashpër sulmet e Izraelit, duke i cilësuar “të papranueshme”. Ndërkaq, Trump e ka përshëndetur veprimin izraelit si “të shkëlqyer”.
Samiti në Alberta pritet të jetë një arenë e nxehtë diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit në një luftë më të gjerë. Versus.al







