
Presidenti francez Emmanuel Marcon bëri thirrje për guxim në takimin e parë të Këshillit të Ministrave të mbajtur nga qeveria e re e François Bayrou, ndërsa kryeministri i ri këmbënguli se ekziston një rrugëdalje nga periudha e paqëndrueshmërisë me të cilën përballet vendi aktualisht.
Siç është traditë në nisjen e vitit të ri, ministrat u takuan fillimisht në Ministrinë e Brendshme për një mëngjes.
Më pas, 35 ministrat kaluan rrugën në radhët e ngushta për t'u bashkuar me Emmanuel Macron në Pallatin Elysee.
"Kjo qeveri ka lindur në trazirat e një krize të madhe politike. Ju e dini gjendjen: censurë, prishje e mazhorancës, rritje e ekstremeve," deklaroi zëdhënësja e qeverisë Sophie Primas në një konferencë për shtyp.
Ajo u bëri thirrje “të gjithëve” që të “mbajnë mbi supe përgjegjësitë e tyre”.
Votimi i buxhetit
Prioriteti i qeverisë është miratimi i buxhetit të vitit 2025. Agjencitë e vlerësimit, tregjet financiare dhe Komisioni Evropian po i kërkojnë gjithashtu Francës të reduktojë deficitin e saj në mënyrë që të respektojë rregullat e BE-së për disiplinën buxhetore.
Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes përcakton kufirin e borxhit në 60% të PBB-së dhe një tavan të deficitit publik në 3% të PBB-së.
Deficiti publik ishte 6.1% e PBB-së në vitin 2024 dhe objektivi i qeverisë është ta zvogëlojë atë në 5.4% të PBB-së në 2025. Objektivi i mëparshëm dhe më ambicioz i vendosur nga ish-kryeministri Michel Barnier ishte 5% në 2025. Versus.al







