BOTA /

''Njeriu me shtatë jetë'', analiza: Çfarë lidhje ka Tony Blair me Gazën?

Shkruar nga Versus

''Njeriu me shtatë jetë'', analiza:

Tony Blair, njeriu me “shtatë jetë”, rimishërimi i tij më i fundit do të jetë si “prokonsulli” i Donald Trump për Gazën. Ish-kryeministri britanik është përfshirë si një nga anëtarët e komitetit që do të udhëheqë tranzicionin pas lufte në Rripin e Gazës.

Blair nuk do të jetë pikërisht “guvernatori i Gazës” që për një moment u përfol, por emri i tij është i vetmi që përmendet shprehimisht në propozimin për paqe, dhe për këtë arsye, pa dyshim, do të luajë një rol kyç në përcaktimin e së ardhmes së Gazës.

Blair ka një histori të gjatë me Lindjen e Mesme, dhe jo gjithçka, përkundrazi shumë pak, hedh dritë pozitive mbi të. Kur sapo kishte lënë Downing Street-in në vitin 2007, ai shpalli se do të merrte postin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së për Lindjen e Mesme: një zgjedhje e kuptueshme, duke qenë se nuk donte të rrinte duarkryq. ishte vetëm 54 vjeç dhe ishte ende herët për pension.

Por edhe atëherë pati skepticizëm ndaj këtij emërimi: në atdhe, Blair ishte diskredituar rëndë për shkak të mashtrimeve që çuan Britaninë në Luftën e Dytë të Gjirit kundër Saddam Husseinit, në vitin 2003. Jo pikërisht një rekomandim i mirë për një njeri që do të merrej me çështjet e Lindjes së Mesme.

Si i dërguar i posaçëm, Blair qëndroi në detyrë deri në vitin 2015: një mandat i pafrytshëm, që në thelb u reduktua në qëndrime në hotele luksoze në rajon. Por kjo eksperiencë i siguroi kontakte dhe hyrje të rëndësishme, që do t’i shërbenin më vonë, kur krijoi Tony Blair Institute, një biznes konsulence i quajtur ndryshe si “McKinsey i qeverive”. Ndër klientët me të cilët nënshkroi kontrata të majme, përfshiheshin sheikët e Gjirit dhe shtete me reputacion të dyshimtë, duke nisur nga diktatura egjiptiane e Al-Sisit te satrapë e Azisë Qendrore. Këto lidhje i sollën Blair-it shumë kritika, por ai kurrë nuk u shqetësua për këtë: pecunia non olet (paraja nuk ka erë) dhe aroma e parave ka qenë gjithmonë ajo që e ka tërhequr. Me konferenca, fjalime, libra dhe aktivitetin e institutit të tij, u bë shumë shpejt multimilioner.

Që ish-kryeministri ka një fiksim me Lindjen e Mesme, u pa edhe disa muaj më parë, kur doli se Instituti i tij, së bashku me administratën amerikane dhe biznesmenë izraelitë, po punonte për një projekt fantastik të quajtur Riviera e Gazës, që synonte ta kthente Rripin në një “Dubai të ri”, me ishuj artificialë përballë bregut. Pasi doli lajmi, Instituti u përpoq të distancohej në mënyrë të sikletshme, duke mohuar që plani përfshinte deportimin e palestinezëve.

Megjithatë, duket se vizionet e Blair-it kanë lënë mbresa te Trump, i cili ka vendosur ta caktojë ish-kryeministrin britanik në qendër të procesit të rindërtimit të Gazës. Dhe nuk duhet të habitemi që një ish-lider laburist është në një mendje me një president që përfaqëson populizmin e djathtë: Blair gjithmonë ka qenë një politikan post-ideologjik, që mendonte se nuk ka rëndësi nëse një zgjidhje është e majtë apo e djathtë, mjafton të funksionojë.

Blair mezi priste të rikthehej në skenë. Për një dekadë të tërë, në Britani ishte bërë “i pashqiptueshëm”, i rrënuar nga dështimi në Irak dhe i urryer si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, simbol i një politike cinike dhe i një globalizmi që kishte dalë nga moda. Por prej disa vitesh kishte nisur një proces rehabilitimi i tij, në shkretëtirën e ideve që është bërë Partia Laburiste. Dhe kështu gradualisht u kthye në një këshilltar të padukshëm të qeverisë aktuale të Keir Starmer-it, që ka ftuar pranë vetes figura kyçe nga periudha e Blair-it. Por një rol në prapaskenë nuk mjaftonte për të dhe tani Gaza (dhe Trump) i japin mundësinë që të rikthehet si protagonist./ Corriere della Sera

Poll