
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Turqi, ku një punëtor, i identifikuar si Erol Eğrek, nga mediat turke i cili protestonte për kompensimin e tij të papaguar prej 10 vitesh, është rrahur për vdekje para godinës së Çalık Holding. Ngjarja ka ndodhi më 9 maj, në Stamboll.
Sipas raportimeve të po këtyre mediave ndër personat që e dhunuan barbarisht punëtorin, ndodhej edhe një polic, i cili ka rezultuar se ishte truproja personal i Ahmet Çalık, pronarit të Çalık Holding një nga biznesmenët më të njohur në Turqi i cili është prezent dhe në Shqipëri duke zotëruar bankën më të madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare.

Erol Eğrek kishte shkuar para ndërtesës së kompanisë dhe kishte vendosur një armë në kokë për të tërhequr vëmendjen ndaj padrejtësisë që, sipas tij, i ishte bërë.
Në vend të ndërhyrjes për dialog, disa persona të identifikuar si truprojat e kompanisë, i morrën armën dhe filluan ta rrahnin rëndë.
Ai u dërgua në spital pasi kishte dhimbje në kokë dhe gjoks, por gjendja e tij u përkeqësua shpejt dhe humbi jetën.
Kompania Çalık Holding doli me një deklaratë ku mohoi përgjegjësinë dhe akuzoi punëtorin se kishte bërë deklarata të pavërteta edhe pse i ishin dhënë të drejtat.
Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë deklaruar se, në morg, kanë parë shenja të rënda dhune në trupin e tij, përfshirë një kockë nofullës së thyer dhe një prerje të thellë në qafë, ndryshe nga raporti zyrtar që pretendonte “vdekje nga ataku kardiak”.
Hetimi dhe arrestimet
Për ngjarjen janë arrestuar 6 persona, përfshirë edhe një efektiv policie.
4 prej tyre janë në paraburgim, ndërsa 2 janë liruar me masë kontrolli gjyqësor.
Fillimisht u përfol se truproja ishte caktuar për CEO-n e kompanisë, Temel Kotil, por kjo u përgënjeshtrua nga Prokuroria e Stambollit. Sipas Prokurorisë, truproja ishte personalisht për Ahmet Çalık.
Çfarë po ndodh tani?
Hetimet për vrasjen e Erol Eğrek janë ende në zhvillim. Ngjarja ka ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik turk, me thirrje për transparencë dhe drejtësi, si dhe për të ndaluar përdorimin e forcës policore në mbrojtje të interesave të korporatave private./Versus.al







