
Vetëm një grup i kufizuar vendesh në botë zotërojnë armë bërthamore: SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe, Franca, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut. Edhe Izraeli, ndonëse nuk e pranon zyrtarisht, besohet gjerësisht se ka arsenal bërthamor. Por përse këto vende “lejohen” t’i kenë, ndërkohë që të tjerët ndalohen?
Përgjigjja ndodhet në një marrëveshje ndërkombëtare të vitit 1968, të quajtur Traktati për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Çfarë është NPT?
NPT-ja është një traktat ligjërisht detyrues, që synon të ndalojë përhapjen e armëve bërthamore, të nxisë çarmatimin gradual, si dhe të lejojë përdorimin paqësor të energjisë bërthamore. Ai lejon vetëm pesë vende – ato që kishin zyrtarisht armë bërthamore deri në vitin 1968 – t’i mbajnë ato: SHBA, Rusia, Kina, Britania dhe Franca.
Të gjitha vendet e tjera që e kanë nënshkruar traktatin angazhohen të mos zhvillojnë ose të mos posedojnë armë bërthamore. Në këmbim, u garantohet qasja në teknologji civile bërthamore nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Kush nuk e ka nënshkruar traktatin dhe pse?
• India, Pakistani dhe Izraeli nuk e kanë nënshkruar NPT-në.
• India dhe Pakistani nuk u pranuan si shtete bërthamore në traktat dhe nëse do t’i bashkoheshin tani, do duhej të heqin dorë nga arsenali i tyre – diçka që e kanë refuzuar.
• Izraeli ndjek politikën e “ambiguitetit bërthamor” – as nuk e pohon, as nuk e mohon posedimin e armëve bërthamore. Kjo taktikë mendohet se i jep atij përparësi strategjike në një rajon të tensionuar si Lindja e Mesme.
• Koreja e Veriut ishte pjesë e traktatit, por u tërhoq në vitin 2003 dhe zhvilloi armë bërthamore më vonë, duke shkaktuar shqetësim të madh ndërkombëtar.
• Sudani i Jugut nuk ka nënshkruar NPT-në, por nuk ka as program bërthamor.
Irani është nënshkrues i NPT-së dhe ka deklaruar vazhdimisht se programi i tij bërthamor është paqësor. Megjithatë, zbulimet në vitin 2002 për një program sekret bërthamor shkaktuan një krizë të madhe me fuqitë perëndimore.
Marrëveshja e vitit 2015 (e njohur si JCPOA), e arritur mes Iranit dhe fuqive botërore, synoi të kufizonte programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Megjithatë, SHBA u tërhoq nga kjo marrëveshje në vitin 2018, gjë që ka përkeqësuar tensionet.
Çfarë kërkohet sot?
Vendet arabe, Irani dhe të tjerë kërkojnë që Izraeli të detyrohet të deklarojë armët bërthamore dhe të lejojë inspektime ndërkombëtare, një kërkesë që vetë Izraeli e ka refuzuar vazhdimisht. Mungesa e transparencës së tij është burim i tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
Në të njëjtën kohë, shqetësimi për garën bërthamore, veçanërisht mes Iranit dhe Izraelit, po rritet, teksa komuniteti ndërkombëtar përpiqet të shmangë përshkallëzimin drejt një konflikti të mundshëm me pasoja globale. /Versus.al/







