Rinumërimi i 338 kutive të votimit në qarkun e Tiranës, i cili po kryhet me vendim të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ka nxjerrë në pah parregullsi të konsiderueshme në numërimin fillestar të votave të 11 majit. Ky proces, që vazhdon prej dy ditësh, ka sjellë një përmbysje të pritshmërive, sidomos për Partinë Demokratike.
Sipas të dhënave paraprake, rezulton se Partia Demokratike ka përfituar në mënyrë të padrejtë 162 vota, ndërsa Partia Socialiste ka përfituar 117 vota, të dyja falë gabimeve të numëruesve gjatë procesit të parë të numërimit.
Edhe partitë më të vogla nuk kanë qenë të kursyera nga këto gabime, megjithëse ndikimi tek to ka qenë më i kufizuar në përmasa numerike. Lëvizja Bashkë ka marrë 15 vota shtesë, koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet 20 vota, Partia Socialdemokrate 18 vota, ndërsa Partia Mundësia ka përfituar 3 vota padrejtësisht.
Në anën tjetër, rinumërimi ka nxjerrë në dritë edhe penalizime: Partisë së Lulzim Bashës i mungojnë 16 vota, ndërsa Koalicionit Djathtas për Zhvillim të Dashamir Shehit i mungojnë 6 vota në krahasim me numërimin e parë.
Ndërkohë, rezultatet përfundimtare të rinumërimit pritet të analizohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të kenë një ndikim të mundshëm në vlerësimin përfundimtar të garës në kryeqytet . /Versus.al







