
Albin Kurti ka publikuar sot një dokument që u përgjigjet kritikëve, mes të cilëve edhe Ramës lidhur me çështjen e paraburgosjes së ish-liderëve të UÇK-së në Hagë prej vitit 2020.
Kërkesa i është dërguar në 2022-in Ekaterina Trendafilovës, presidendes së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ku renditen argumente kundër mbajtjes në paraburgim të ish-liderëve të UÇK-së. Ish-kryeministri tregon se bashkë me stafin kanë punuar për kthimin në shtëpi të çlirimtarëve, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, por shtoi se këtë gjë e kanë bërë në heshtje me argumentin se puna e mirë bëhet pa zhurmë.
"Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”, shkruan Kurti.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se Prokuroria Speciale e ka përfunduar rastin e saj dhe dëshmitarë nuk ka më, ndaj sipas Albin Kurtit, nuk ka arsye ligjore e morale që ish-krerët e UÇK-së të mbahen në paraburgimin e Hagës, por duhet të kthehen në shtëpi.
"Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje", shkruan ai, duke shtuar "Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet."
Si kryeministër i Kosovës, Kurti shprehet se ai dhe zyra e tij kanë kërkuar lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit që nga fillimi, duke kërkuar të vënë në lëvizje dhe Dhomat e Specializuara, drejtpërdrejt përmes drejtueses Ekaterina Trendafilova.
"E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës.
Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre", shkruan më tej Albin Kurti. Versus.al

