Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama sa i takon reagimit të këtij të fundit ndaj partisë mbi protestën e nesër në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së.
Manxhuka i cilëson reagimet e Ramës të padenja të cilat janë thjesht për konsum personal. Ndërsa i drejton disa pyetje lidhur me udhëtimin e tij me helikopter për në Kosovë për Gjykatën Speciale dhe nëse i ka ngritur shqetësimet e tij për Hashim Thaçin në OKB, NATO apo Këshillin e Evropës.
Reagimi i plotë:
Kryeministri Rama mund të përpiqet të nxirret me eskivazhe të padenja e përshtypje personale, ose mundet edhe të adresojë dhe përgjigjet shkurt e saktë në pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Më konkretisht ai mund të tregojë:
1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyer ai themelimin e Gjykatës Speciale?
2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj?
3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë? Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO?
Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik. Versus.al







