Live Updates /

Protesta për UÇK, Kurti-Ramës: Erdhe me helikopter për Gjykatën Speciale! Kryeministri: Thaçin e do në Hagë përjetësisht

*Protesta e organizuar në Tiranë për ish-liderët e UÇK-së që mbahen në paraburgimin e Hagës prej 5 vitesh, ka nxitur replika mes Kurtit dhe Ramës. *Në një reagim, Vetëvendosja mbështeti protestën, por kërkoi që Rama të shprehte pendesë për shkak se kishte qenë vetë ai që kishte udhëtuar me helikopter drejt Kosovës për të bindur palët politike që të votonin pro krijimit të Gjykatës Speciale që arrestoi Thaçin dhe të tjerët. *Lidhur me këtë kritikë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili duke e konsideruar reagimin e Vetëvendosjes si “çarçaf të gjatë” tha se nuk është në garë me ta dhe se ai kishte mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale për trafikimin e organeve, jo për arrestimin e Thaçit për të cilin thotë se Kurti do e donte në Hagë përjetësisht.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Protesta e organizuar në Tiranë për ish-liderët e UÇK-së që mbahen në paraburgimin e Hagës prej 5 vitesh, ka nxitur replika mes Kurtit dhe Ramës. *Në një reagim, Vetëvendosja mbështeti protestën, por kërkoi që Rama të shprehte pendesë për shkak se kishte qenë vetë ai që kishte udhëtuar me helikopter drejt Kosovës për të bindur palët politike që të votonin pro krijimit të Gjykatës Speciale që arrestoi Thaçin dhe të tjerët. *Lidhur me këtë kritikë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili duke e konsideruar reagimin e Vetëvendosjes si “çarçaf të gjatë” tha se nuk është në garë me ta dhe se ai kishte mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale për trafikimin e organeve, jo për arrestimin e Thaçit për të cilin thotë se Kurti do e donte në Hagë përjetësisht.

5 Postime
40 MINUTA ME PARE

Deklaratat e Ramës, Vetëvendosja i drejton pyetje: Kur ke folur për Gjykatën e Hagës në OKB, NATO apo KiE?

Protesta për UÇK, Kurti-Ramës: Erdhe me helikopter për

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama sa i takon reagimit të këtij të fundit ndaj partisë mbi protestën e nesër në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së.

Manxhuka i cilëson reagimet e Ramës të padenja të cilat janë thjesht për konsum personal. Ndërsa i drejton disa pyetje lidhur me udhëtimin e tij me helikopter për në Kosovë për Gjykatën Speciale dhe nëse i ka ngritur shqetësimet e tij për Hashim Thaçin në OKB, NATO apo Këshillin e Evropës.

Reagimi i plotë:

Kryeministri Rama mund të përpiqet të nxirret me eskivazhe të padenja e përshtypje personale, ose mundet edhe të adresojë dhe përgjigjet shkurt e saktë në pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Më konkretisht ai mund të tregojë:

1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyer ai themelimin e Gjykatës Speciale?

2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj?

3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë? Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO?

Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik. Versus.al

1 ORE ME PARE

Protesta e nesërme për UÇK në Tiranë, Balluku: Hiqet tarifa e Rrugës së Kombit gjatë 24 orëve

Protesta për UÇK, Kurti-Ramës: Erdhe me helikopter për

Zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku ka njoftuar se ditën e nesërme do të hiqet përkohësisht tarifa për kalimin në Rrugën e Kombit.

Shkak për këtë është bërë protesta që pritet të mbahet në Tiranë më 16 tetor në orën 17:00 për lirimin e ish-liderëve të UÇK-së që prej 5 vitesh mbahen të arrestuar në Hagë.

“Rruga e Kombit pa pagesë në datë 17 Tetor  “Liria ka emër - Drejtësi për çlirimtarët”, bashkohemi në Tiranë për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës”- thuhet në reagimin e numrit dy të qeverisë shqiptare.

Kohëzgjatja e heqjes së tarifës do të jetë nga ora 09:00 e mëngjesit të nesërm deri në orën 09:00 të mëngjesit të 18 tetorit. Versus.al

2 ORE ME PARE

Kryebashkiaku i Prishtinës: Transport falas për veteranët e UÇK-së që protestojnë të premten në Tiranë

Protesta për UÇK, Kurti-Ramës: Erdhe me helikopter për

Kosovë- Kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama mbrëmjen e djeshme ka njoftuar se do të sigurojë transport falas për në Tiranë për të gjithë veteranët e UÇK-së për protestën që do të mbahet në orën 17:00 në mbështetje Hashim Thaçit e të tjerëve të cilët prej 5 vitesh mbahen të paraburgosur në Hagë.

"Sot kam nënshkruar vendimin për të siguruar transportin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare më 17 tetor në Tiranë", njoftoi mbrëmë Përparim Rama.

Duke konfirmuar edhe pjesëmarrjen e tij, Përparim Rama thotë se ish-liderëve të UÇK-së u takon i gjithë respekti i një kombi të tërë.

"Veteranët tanë nuk janë pjesë vetëm e së kaluarës por janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, do të mbetet shembull i respektit institucional, i kulturës politike dhe i mirënjohjes publike. Me nderim të thellë për të gjithë veteranët, për familjet e dëshmorëve dhe për të gjithë ata që e mbajnë ende gjallë kujtesën e lirisë sonë, shihemi në Tiranë. Ju takon respekti i një kombi të tërë", vijon më tej kryebashkiaku i Prishtinës.

Më herët, Lëvizja Vetëvendosja pavarësisht se mbështeti protestën, tha se kryeministri Edi Rama duhet të paktën të shprehë pendesë për faktin se në 2015-ën udhëtoi me urgjencë në Kosovë për të nxitur palët politike të votonin pro krijimit të Gjykatës Speciale ku Thaçi mbahet prej 2020-ës. Versus.al

4 ORE ME PARE

Vetëvendosja e kritikoi se nxiti krijimin e Gjykatës Speciale, Rama: Më paskeni kushtuar një çarçaf të gjatë

Protesta për UÇK, Kurti-Ramës: Erdhe me helikopter për

Pasi Lëvizja Vetëvendosje i kërkoi Ramës të shprehte pendesë që kishte udhëtuar me helikopter për të nxitur krijimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit të Shqipërisë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, Rama shkruan se ai e ka denoncuar kudo farsën ndaj Hashim Thaçit. Ndërsa thekson se nuk është në “garë” me Lëvizjen Vetëvendosje, Rama thotë akuzon partinë e drejtuar nga Kurti se do ta donte përjetësisht Thaçin në Hagë.

Sipas tij, Gjykata Speciale u krijua për trafikim organesh dhe jo “për të marrë peng” ish-presidentin Hashim Thaçi.

Reagimi i plotë i Ramës:

Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.

Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve - kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë - i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.

Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i  protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj. Versus.al

5 ORE ME PARE

Protesta për UÇK, Vetëvendosja: E mbështesim, por Rama të pendohet! Erdhi me helikopter të na bindte për Gjykatën Speciale

Protesta për UÇK, Kurti-Ramës: Erdhe me helikopter për

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë në mbështetje të protestës mbarëkombëtare që pritet të mbahet në Tiranë të premten në orën 17:00. Duke e konsideruar luftën e UÇK -së si të drejtë dhe të domosdoshme, në reagimin zyrtar thuhet se për krime lufte duhet të gjykohet vetëm Serbia dhe jo ish-liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli apo Jakup Krasniqi.

Mirëpo mes të tjerash, Vetëvendosja kërkon që edhe politikanët shqiptarë që e mbështetën krijimin e Gjykatës Speciale që prej 5 vitesh mban në paraburgim ish-liderët e UÇK-së, të kërkojnë falje dhe të shprehin pendesë.

Mes tyre përmendet vetë kryeministri Edi Rama i cili ka bërë thirrje së fundmi për protestë mbarëkombëtare në Tiranë. Sipas Vetëvendosjes, Rama asokohe shkoi urgjentisht në Kosovë me helikopter për të bindur palët politike që të votonin pro Gjykatës Speciale.

“Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”- thuhet në deklaratë.

Po ashtu u kërkohet institucioneve të Shqipërisë që këtë çështje ta ngrejnë zyrtarisht në institucione ndërkombëtare, sepse e kanë këtë gjë në dorë dhe jo thjesht të thërrasin protesta në Tiranë.

Reagimi i plotë i Vetëvendosjes së kryesuar nga kryeministri Albin Kurti:

Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.

Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu, por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë e propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, por që u miratua si rezolutë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Në anën tjetër, pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, ajo është shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive e sistematike ndaj popullit të Kosovës.

Mirëpo, për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.

Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë.

Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.

Po ashtu shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë. Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin. Versus.al

Poll