Djegie në këmbë të shkaktuara nga goditje elektrike, gërvishtje në ije dhe në kokë, një brinjë e thyer dhe flokët – që i pëlqente t’i mbante të gjatë – krejtësisht të rruar. Këto janë torturat që gazetarja ukrainase Viktoriia Roshchyna ka pësuar ndërsa ishte ende gjallë gjatë burgimit të saj në Taganrog, në Rusinë jugore. Aty, në një qendër paraburgimi të njohur si Sizo 2, Viktoriia – e njohur edhe si Vika – gjeti vdekjen. E reja u zhduk në vitin 2023, në moshën vetëm 27-vjeçare, ndërsa ishte duke hetuar mbi akuzat për tortura ndaj të burgosurve ukrainas në territoret e pushtuara nga rusët në juglindje të Ukrainës.
Edhe më tronditëse ishte zbulimi i bërë gjatë autopsisë: disa organe të brendshme, përfshirë trurin, globat okularë dhe një pjesë të trakesë, ishin hequr. Një heqje që, sipas një mjeku ligjor ndërkombëtar të konsultuar nga Ukrainska Pravda, mund të jetë kryer për të fshehur prova të qarta të mbytjes ose të ngulfatjes. Pikërisht kështu rusët dorëzuan trupin e mumifikuar dhe të panjohshëm të gazetares.
Këto janë të dhënat që dalin nga një hetim i zhvilluar nga autoritetet ukrainase dhe i rrëfyer nga Ukrainska Pravda – gazeta për të cilën gazetarja punonte si freelance – në një hetim të një konsorciumi gazetash ndërkombëtare, ndër të cilat Washington Post, The Guardian, Le Monde dhe Der Spiegel.
Autoritetet ruse gjithmonë kanë mohuar që ta kenë pasur në paraburgim Vika-n, deri më 14 shkurtin e kaluar, kur ndërmjetësit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, duke analizuar listat e trupave të shkëmbyer, vunë re në fund të faqes së fundit një shënim misterioz: “NM SPAS 757”. Një shkurtim që nënkupton “person i paidentifikuar” dhe “dëmtime të mëdha në arteriet koronare”. Megjithë rezultatet e testit të ADN-së, babai i gazetares nuk beson se trupi i përket vajzës së tij dhe ka kërkuar analiza të mëtejshme.
“Çështja e pengjeve civile të rrëmbyer dhe të mbajtura nga Rusia kërkon më shumë vëmendje ndërkombëtare dhe një reagim të menjëhershëm dhe të fuqishëm”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Georgiy Tykhy.








