Izraeli po përballet me një nga zjarret më shkatërruese në historinë e tij, ndoshta më i madhi ndonjëherë, pasi vatra që nisi mëngjesin e së mërkurës pranë Mesilat Zion, jashtë Jeruzalemit, vazhdon të përhapet në mënyrë të pakontrolluar.
Zjarri ka shkaktuar evakuime masive, ndërprerje të qarkullimit, dëme dhe ka nxitur mobilizim ndërkombëtar.
Shefi i Shërbimit Zjarrfikës të Rajonit të Jeruzalemit, Shmulik Friedman, deklaroi: “Ndodhemi në mes të një zjarri jashtëzakonisht të madh, ndoshta më i madhi i regjistruar ndonjëherë në vend. Operacioni ynë do të zgjasë shumë. Jemi shumë larg kontrollit të situatës”, tha ai nga zona e Eshtaol, gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp. Zjarri, i cili filloi në orën 09:30 të mëngjesit, fillimisht u përhap në perëndim për shkak të erërave, por më pas ka nisur të lëvizë sërish drejt lindjes. Parashikimet e motit tregojnë përkeqësim gjatë natës, me erëra që mund të arrijnë deri në 90-100 km/h, duke shtuar frikën për përhapje të mëtejshme.
Të plagosur, përfshirë foshnja dhe gra shtatzëna
Shërbimi i urgjencës “Magen David Adom” njoftoi se të paktën 13 persona janë dërguar në spital për shkak të thithjes së tymit dhe djegieve. Ndër ta janë dy foshnja – njëra njëmuajshe dhe tjetra gjashtë muajshe – si dhe dy gra shtatzëna. Dhjetë persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje.
Shpëtimtarët evakuuan gjithashtu persona të moshuar dhe pacientë të pafuqishëm, duke përdorur autoambulanca dhe njësi të kujdesit intensiv të lëvizshëm.
Mobilizim ndërkombëtar – Hetime për zjarrvënie të qëllimshme
Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar ka kontaktuar homologët nga Britania e Madhe, Franca, Suedia, Çekia, Spanja, Argjentina, Maqedonia e Veriut dhe Azerbajxhani. Ministria e Jashtme u është drejtuar zyrtarisht Greqisë, Qipros, Kroacisë, Italisë dhe Bullgarisë për dërgimin e avionëve zjarrfikës. Sipas një deklarate të përbashkët të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Sigurisë Kombëtare dhe Ministrisë së Jashtme, ekipe ndërkombëtare zjarrfikëse pritet të fillojnë operacionet nga dita e enjte, pasi kufizimet e fluturimeve gjatë natës e bëjnë të pamundur përdorimin e avionëve zjarrfikës.
Autoriteti Palestinez ka ofruar gjithashtu ndihmë për të luftuar zjarrin, por Izraeli nuk ka dhënë ende një përgjigje.
Aktualisht, në operacion janë angazhuar avionët zjarrfikës të skuadrës ajrore izraelite Elad, helikopterët e policisë dhe njësi të Forcave Ajrore që ndodhen në gatishmëri të lartë.
Ndërkohë, shërbimi i sigurisë së brendshme Shin Bet ka marrë përsipër pjesë të hetimit për shkaqet e zjarrit, pasi ekzistojnë dyshime se disa vatra mund të jenë shkaktuar qëllimisht. Shërbimi po ndihmon policinë në identifikimin e të dyshuarve të mundshëm.








