
Presidenti francez Emmanuel Macron filloi këtë të enjte një vizitë dy-ditore në Serbi ku do të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiç për të diskutuar për çështje ekonomike, mbrojtjen, energjinë, inteligjencën artificiale dhe çështje diplomatike.
Ndërkohë nga teksti i botuar i Emmanuel Macron, vihet re thirrja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe zotimi për ndërhyrje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Rruga që propozuam drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin: mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por duke mos hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë; por edhe ekzistenca e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”, shkruan Macron, që përmend vitin 2019, kur siç thotë kishte kërkuar kompromis “për çështjen e Kosovës”.
“Në 2019-tën, kur fola për çështjen e Kosovës, fola për guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë europianë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, donim ta ndihmonim rajonin t’i shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura dhe përshkallëzimin e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë”, thotë presidenti francez.
Macron nënvizon se mbetet i angazhuar personalisht për themelimin e Asociacionit.
“Kjo rrugë është e asfaltuar, çdo gjë që e ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje”, theksohet në shkrimin e tij, ku bashkëpunimi që Franca po ndërton me Serbinë, përshkruhet si “partneritet real strategjik”.
Ndër të tjera Macron e përshkruan marrëdhënien me Serbinë si të çmuar dhe se anëtarësimi i saj në BE do të përmirësonte akoma edhe më shumë marrëdhëniet nëpërmjet dy vendeve.
“Dëshiroj ta mbyll duke thënë se vizita ime sot në Beograd, etapat e reja që po vendosim për bashkëpunimin tonë dypalësh, partneriteti real strategjik që po ndërtojmë, apeli që bëra për angazhimin vendimtar të Serbisë në anëtarësimin në BE. Bashkim, e gjithë kjo përbën një mesazh besimi në të ardhmen tonë të përbashkët dhe gjithashtu mënyra më e mirë për të ushqyer dhe thelluar miqësinë tonë kaq të çmuar”, përmbylli ai./ Versus.al







