BOTA /

SHBA përfshihet në luftën Izrael-Iran, bombardon centralet bërthamore! Deklarata e Donald Trump

Sulmet u kryen me një kombinim të bombarduesve B-2 dhe raketave lundruese TLAM nga nëndetëset.

Shkruar nga Versus
SHBA përfshihet në luftën Izrael-Iran, bombardon centralet
Bombardues B-2

Bombarduesit amerikanë goditën tre objekte kryesore bërthamore në Iran në agim të së dielës, me qëllim neutralizimin e pasurimit të uraniumit.

Kompleksi nëntokësor i Fordoë, uzina e madhe e pasurimit të Natanz dhe një objekt i tretë pranë Isfahanit, ku besohet se ruhet uraniumi i gradës së lartë, u bombarduan. Sulmet u kryen me një kombinim të bombarduesve B-2 dhe raketave lundruese TLAM nga nëndetëset.

Presidenti Donald Trump në fjalën e mbajtur para Shtëpisë së Bardhë u shpreh se sulmet ishin të sukseshme dhe paralajmëroi Iranin.

"Sonte, mund t'i raportoj botës se sulmet ishin një sukses spektakolar ushtarak. Objektet kryesore të pasurimit bërthamor të Iranit janë eliminuar plotësisht.

Irani, dhunuesi i Lindjes së Mesme, duhet të bëjë paqe tani. Nëse nuk e bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta. Për 40 vjet ata kanë thënë vdekje Izraelit dhe vdekje Shteteve të Bashkuara. Kemi humbur mijëra njerëz në Lindjen e Mesme nga sulme të urrejtjes. Vendosa shumë kohë më parë se kjo nuk do të vazhdojë. Faleminderit Bibi Netanyahu, punuam si ekip. Faleminderit ushtrisë izraelite.” 

Trump vazhdoi: “Kjo nuk mund të vazhdojë. Ose do të ketë paqe ose do të ketë një tragjedi për Iranin, shumë më të madhe se ajo që kemi parë në tetë ditët e fundit. Mos harroni, kanë mbetur shumë objektiva.”

Ndërsa kryeministri izraelit Netanyahut, është shprehur se operacioni u krye në "koordinim të plotë" me SHBA-në. 

Teherani ka sinjalizuar se do të ketë hakmarrje kundër SHBA-së, qoftë përmes sulmeve ndaj forcave amerikane në rajon, ose përmes përshpejtimit të programit të saj bërthamor - nëse mbetet aktiv pas bombardimeve.

Gjatë natës së së enjtes, më 13 qershor, Izraeli ndërmori një sulm të fuqishëm kundër Iranit, pas një periudhe të gjatë konflikti me intensitet të ulët mes dy vendeve.

Tel Avivi goditi infrastrukturat bërthamore iraniane, eliminoi drejtues të lartë ushtarakë, vrau shkencëtarë të nivelit të lartë dhe shkatërroi radarë e baza raketore, duke përdorur avionë luftarakë dhe dronë që ishin futur fshehurazi më parë në vend.

Irani u kundërpërgjigj me disa sulme raketore ndaj Izraelit. Bombardimet mes dy palëve janë të vazhdueshme./Versus.al

Poll