
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është takuar mbrëmjen e kaluar me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan në Prishtinë me të cilin ka folur për marrëdhëniet e ndërsjellta mes dy shteteve.
Kryeministria bën me dije se ka patur diskutime për zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”, është cituar të ketë thënë Kurti.
Pjesë e takimit kanë qenë edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri serb në detyrë për Komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq.
Para vizitës në Kosovë, Hanrahan ka realizuar vizita në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, dhe është zyrtari më i lartë që ka vizituar rajonin e Ballkanit që pas rizgjedhjes së Trump si president i SHBA. Versus.al







