Fatura shumë e lartë. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë përballimi i shpenzimeve rekord të Izraelit për luftërat e tij. Disa media kanë filluar të bëjnë llogaritë ndaj Netanjahut, duke u pyetur se sa gjatë Tel Avivi do të mund të përballojë ofensivën kundër Teheranit.
Konflikti me Hamasin në Gaza ka kushtuar deri tani mbi 67 miliardë dollarë, ndërsa përplasja me Iranin përthith 735 milionë dollarë në ditë, shkruan The Economic Times. Kjo media indiane në gjuhën angleze, pjesë e grupit The Times, citon faqen ekonomike izraelite Calcalist, sipas së cilës shifra prej 67 miliardë dollarësh është kaluar që në fund të vitit 2024.
Këtë shifër e kanë përmendur edhe Reuters dhe The Guardian. Kjo shumë përfshin shpenzimet direkte për luftimet, mbështetjen e popullsisë civile dhe humbjet në të ardhurat shtetërore.
Megjithatë, ajo nuk pasqyron ende plotësisht dëmet indirekte, si humbja e produktivitetit dhe goditjet në zinxhirin e furnizimit. Tani, me hapjen e një fronti të ri kundër Iranit, shpenzimet për mbrojtjen po rriten me shpejtësi alarmante.
Një raport i Ynet News ka cituar gjeneralin në pension Re'em Aminach, ish-këshilltar financiar i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), i cili tha se vetëm 48 orët e para të operacioneve kanë kushtuar 1.45 miliardë dollarë. Ritmi i shpenzimeve nuk është ngadalësuar. Tani Izraeli shpenzon rreth 725 milionë dollarë në ditë për operacionet ushtarake direkte. Vetëm karburanti për avionët dhe armët kushtojnë rreth 300 milionë dollarë në ditë.
Përveç luftës, thirrja masive e rezervistëve po ul produktivitetin civil, duke shkaktuar humbje prej disa dhjetëra milionë dollarësh në ditë. The Economic Times thekson gjithashtu se buxheti i ministrisë së Mbrojtjes është pothuajse dyfishuar në vetëm dy vite dhe tani përbën afërsisht 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Izraelit, duke u renditur i dyti në botë pas Ukrainës.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe një përfundim i shpejtë i armiqësive nuk do të fshijë dëmin fiskal që është shkaktuar tashmë: shërbimet publike, veçanërisht ato të shëndetësisë dhe arsimit, rrezikojnë të penalizohen. Për më tepër, me një kufi maksimal të deficitit prej 4.9% të PBB-së, që përkthehet në 27.6 miliardë dollarë, buxheti i Izraelit është tashmë nën një presion të jashtëzakonshëm, ndërsa ministria e Financave ka rishikuar parashikimet për rritjen e PBB-së për vitin 2025, nga 4.3% në 3.6%.
The Wall Street Journal nga ana e tij mendon se kostot e luftës me Iranin mund të kufizojnë aftësinë e Izraelit për të përballuar një konflikt të zgjatur: sipas një vlerësimi të Institutit Aaron për Politikë Ekonomike pranë Universitetit Reichman në Izrael, një muaj përplasje do të konsumonte rreth 12 miliardë dollarë. Kostoja më e lartë individuale lidhet me interceptuesit e nevojshëm për të rrëzuar raketat iraniane në ardhje, të cilët vetëm mund të kushtojnë nga disa dhjetëra miliona deri në 200 milionë dollarë në ditë.
Edhe municionet dhe avionët kontribuojnë në shpenzime, po ashtu edhe dëmet e paprecedenta në ndërtesa. „Faktori kryesor që do të përcaktojë me të vërtetë koston e luftës do të jetë koha e saj,” tha për Wall Street Journal Karnit Flug, ish-guvernatore e Bankës së Izraelit dhe aktualisht studiuese e lartë në Institutin për Demokracinë në Jerusalem. Flug mendon se ekonomia izraelite mund të përballojë një fushatë të shkurtër: „Nëse zgjat një javë, është një gjë; nëse zgjat dy javë apo një muaj, është një histori krejt tjetër.”/La Stampa







