Një grua 35-vjeçare, Wilawan Emsawat, e njohur me pseudonimin “Sika Golf”, është arrestuar në Tajlandë pasi akuzohet se ka pasur marrëdhënie seksuale me 13 murgj budistë, i ka filmuar fshehurazi dhe më pas i ka shantazhuar për shuma të mëdha parash.
Policia thotë se ajo ka përfituar mbi 10 milionë euro përmes zhvatjes, ndërsa nga telefonat e saj janë sekuestruar foto dhe video komprometuese ku murgjit shfaqen me rrobat e tyre tradicionale. Hetimi çoi në përjashtimin nga urdhri manastiror të 9 prej tyre, dhe numri i të përfshirëve pritet të rritet.
Rasti doli në dritë pas zhdukjes së një abati të njohur në Bangkok, i cili më vonë rezultoi se ishte shantazhuar nga Wilawan pasi refuzoi t’i paguante 206,000 euro me pretendimin se ajo ishte shtatzënë.
Një tjetër murg pranoi se i kishte dhuruar Wilawan një makinw gjatë lidhjes së tyre, duke shtuar se u shkatërrua kur zbuloi se kishte një aferë me një murg tjetër. Kur ai e pyeti për këtë, ajo dyshohet se filloi ta shantazhonte për para.
Sipas hetimeve, Wilawan ka pasur transaksione bankare mbi 10 milionë euro në tre vitet e fundit, shumë prej të cilave dyshohet se vijnë nga fondet e tempujve. Ajo akuzohet edhe për pastrim parash dhe shpenzime të mëdha në faqe të paligjshme të lojërave të fatit./Versus.al







