Policia greke ka vijuar hetimet për vrasjen e profesorit 43-vjeçar polak, i cili u ekzekutua me gjakftohtësi pasditen e 4 korrikut në Agia Paraskevi të Athinës.
Sipas medias greke Prothema, viktima kishte depozituar më herët një kallëzim penal ndaj partnerit aktual të ish-bashkëshortes për kërcënim dhe dhunë fizike, çka tregon se kishte një histori konflikti mes tyre dhe se profesori kishte frikë për jetën e tij.
Personi që ka pranuar se ka kryer vrasjen u shpreh me tone penduese: “Nuk e duroja më ta shihja të mërzitur dhe në ankth, dhe thashë: do ta bëj. Unë i kam bërë të gjitha.” Ai tentoi të marrë të gjithë fajin mbi vete, por provat e tjera tregojnë një akt të organizuar, me dijeninë dhe bashkëpunimin e ish-bashkëshortes.
Sipas rrëfimit të tij, ai kishte rekrutuar tre bashkëpunëtorë – dy shtetas shqiptarë dhe një bullgar – duke u thënë: “Do shkojmë të trembim dikë që bezdis të dashurën time.” Madje u premtoi se “nëse duhet avokat, do e paguajë Nadia. Mos u shqetësoni.”
Për lëvizjet e tyre përdorën një Porsche Cayenne të marrë me qira, e cila u gjurmua dhe çoi në identifikimin e dy shqiptarëve.
Makina kishte ndjekur viktimën, ku kishte pasur takim me ish-gruan dhe fëmijët, deri në Agia Paraskevi, ku u organizua atentati.
Pas vrasjes, autori u arratis me taksi drejt Nafplios, për t'u fshehur. Ai kishte dhënë telefonin dhe çelësat e makinës një personi tjetër, për të ngritur një alibi të rreme sikur ndodhej në një zonë tjetër.
Ai deklaroi se armën e kishte blerë në zonën e Omonias, por ajo nuk është gjetur ende.
Në telefonin e ish-bashkëshortes u gjet një foto e viktimës, e bërë ditën e vrasjes, që tregon veshjen e tij – provë që sipas policisë tregon përfshirjen e saj në përgatitjen e krimit.
Pas vrasjes, ajo fiku telefonin dhe fshiu të dhënat, por autoritetet zbuluan gjithashtu se ajo komunikonte me autorin përmes aplikacionit të fshehtë Signal, duke përdorur një numër që i përkiste djalit të saj.
Të katër burrat kanë pranuar përfshirjen në krim, ndërsa gruaja mohon çdo lidhje. Dosja tani i është referuar drejtësisë me akuza për vrasje me dashje, nxitje për vrasje dhe bashkëpunim në krim./Versus.al







