Çfarë do të gjeni në brendësi
Apeli i GJKKO e la në burg, Meta: Asnjë zhgënjim nga drejtësia me regji! S'kanë shans të shpikin prova kundër meje
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga burgu pasi Apeli i GJKKO i rrëzoi kërkesën për lirimin nga qelia. Duke thënë se nuk ka asnjë zhgënjim nga vendimi i marrë të cilin e priste, Meta shkruan se urdhrat SPAK-u dhe GJKKO i marrin nga asambleja e PS.
Ai pretendoi se nuk ka asnjë provë për akuzat e ngritura ndaj tij dhe u shpreh se në fund të procesit, do ta fitojë përballjen. Ashtu si në reagimet e mëparshme as këtë herë nuk munguan akuzat kundrejt SPAK-ut, duke u shprehur se Prokuroria e Posaçme vazhdimisht përgjon të gjithë gjyqësorin.
Reagimi i plotë:
Asnjë zhgënjim nga telenovela “Drejtësi me Regji”.
Falenderim për avokatin e paepur, z. Kujtim Cakrani, që ka harxhuar dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë të dëgjojnë dhe as integritet për të treguar në respekt të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të ligjit.
Por avokati ka parimin që edhe muret dëgjojnë, ndaj e falenderoj edhe njëherë për frymën e harxhuar, e cila sidoqoftë është regjistruar për arsye të shterimit të të gjithë procedurave të brendshme, të një sistemi gjyqësor që është nën përgjimin permanent të SPAK-ut, i cili afërmendsh urdhrat dhe akuzat i merr nga tribuna e Asamblesë së PS-së.
As kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta.
Sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisi gjykimi, që e gjithë Shqipëria edhe bota ta dijë se kush janë ata që dinë anglishten e Charles McGonigalit, i cili bashkë me Edi Ramën dhe Altin Dumanin, regjistruan që në Dhjetor 2019 çështjen CEZ-DIA për të më shantazhuar dhe hetuar mua si President i Republikës, çështje e gjykuar në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës, në kulmin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese.
Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova.
Nuk janë unë që intimidoj dëshimtarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshimtarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS.
Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen.
Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë.
Meqënëse disa nga këto qëndrime i keni dëgjuar më përpara, mos përtoni të lexoni lajmin e freskët se si 270 milion euro të USAID u përdorën nga sorosistët për kapjen e sistemit të drejtësisë. Versus.al
Në burg prej 9 muajsh, Apeli i GJKKO lë në qeli Metën! Avokati Cakrani: Këta janë rrogëtarë, jo gjyqtarë
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili mbahet në paraburgim prej 21 tetorit të 2024-ës.
Avokati i tij Kujtim Cakrani tha se i propozoi gjykatës çdo masë tjetër sigurie për Metën duke argumentuar se nuk ka vepër penale teksa përdori faktin që SPAK nuk ka paraqitur ende përparimin e hetimeve ndaj Metës.
“Kjo është drejtësi e cila i heton qytetarët dhe nuk arrin dot të përfundojë hetimet. Dy prokurorët Kraja dhe kolegu i tij nuk dhanë shpjegime edhe pasi u pyetën nga gjykata. Nuk kishin arsye reale, ne arsyet i dimë në fakt. Sot presidenti po mbahet në kushtet e një persekutimi politik. Sepse ju e dini mirë se çfarë po heq në paraburgim ku i janë mohuar të drejtat e telefonatave me njerëzit e tij. Këta nuk janë gjyqtarë, por rrogëtarë”- u shpreh mes të tjerash avokati i Metës, Kujtim Çakrani.
Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet për Ilir Metën ndërsa nuk ka nxjerrë ende përfundimet nga çështja që po heton mbi lobimin e LSI në SHBA dhe afera "CEZ-DIA" për të cilën po hetohet edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi dhe 3 ish-bashkëpunëtorë të tjerë. Prokuroria e Posaçme pretendon se Meta ka kryer 3 vepra penale, fshehje pasurie, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Për të njëjtat akuza dyshohet edhe Kryemadhi e cila është nën masën "detyrim paraqitje". Versus.al
VIDEO/ Sot gjyqi për Metën, avokati i tij: Ka thënë Ajatollahu, do ta lirojmë
Në Apelin e Gjykatës së Posaçme sot në orën 10:00 nisi gjyqi për kryetarin e Partisë së Lirisë Ilir Meta i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” që iu tetorin e vitit të kaluar dy ditë pas arrestimit të bujshëm në mes të Tiranës.
Në seancë janë të pranishëm prokurorët e SPAK, Arben Kraja e Sotir Kllapi të cilët kanë kërkuar vijimin e masës "arrest me burg" e cila ka mbetur në fuqi prej 9 muajsh.
Avokati i tij, Kujtim Çakrani gjatë momentit që po hynte në godinën e Gjykatës së Posaçme u shpreh shkurtimisht me ironi para gazetarëve duke thënë “ka thënë Ajatollahu, duhet ta lirojmë”, duke nënkuptuar se gjykata zbaton vetëm urdhrat e kryeministrit Edi Rama.
Ilir Meta mbahet në paraburgim prej tetorit të vitit të kaluar nën dyshimin se ka kryer tre vepra penale, fshehje pasurie, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Për të njëjtën dosje hetimore, nën lupën e SPAK është edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi. Së fundmi Prokuroria e Posaçme pretendoi se kishte zbuluar një tjetër rast korruptiv të ish-çiftit duke thënë se kishin përdorur kartën e kreditit të biznesmenit shqiptaro-amerikan Adrian Shatku për blerje e pagesa qindra mijëra euroshe.
Kryemadhi i mohoi shpenzime të tilla duke thënë se me Shatkun ka thjesht marrëdhënie familjare për shkak se janë kushërinj. Ndërsa Meta ka mohuar çdo akuzë ndaj tij duke thënë se nuk ka patur dijeni për kartën që thuhet se Shatku ka vënë në dispozicionin e tyre. Versus.al







