Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Stamboll, ku dy adoleshentë nga Holanda janë gjetur të vdekur në dhomën e tyre të hotelit. Babai i tyre, i cili ndodhej me ta në pushime, është dërguar me urgjencë në spital në gjendje shoku.
Sipas mediave turke, që citojnë televizionin NTV, ngjarja ka ndodhur në hotelin "Grand Sami", i vendosur në lagjen Fatih të Stambollit. Policia dhe ambulanca janë thirrur në vendngjarje, ku kanë konstatuar vdekjen e dy djemve, të moshës 15 dhe 17 vjeç.
Dyshohet për helmim pas një darke në Taksim
Familja kishte darkuar një natë më parë në lagjen e njohur turistike Taksim. Sipas raportimeve, babai – 57 vjeç – kishte shoqëruar djemtë për darkë, por vetë nuk kishte konsumuar ushqim. Ai është transportuar në spital në gjendje shoku.
Televizioni NTV citon një punonjës të hotelit, Mehmet Kirdag, i cili rrëfen momentin dramatik:
“Ai po thërriste fëmijët e tij. Kur trokita dhe hyra në dhomë, të dy ishin të vdekur – njëri në shtrat dhe tjetri në dysheme.”
Ambulanca konfirmoi vdekjen e të dyve në vendngjarje.
Hetimet e para: asnjë shenjë dhune
Autoritetet turke kanë nisur një hetim për të zbardhur shkakun e vdekjes. Dyshimet kryesore janë për një helmim nga ushqimi apo një shkak tjetër mjekësor. Mediat theksojnë se në trupat e viktimave nuk është konstatuar asnjë shenjë dhune.
Ndërkohë, autoritetet holandeze kanë ofruar ndihmë konsullore për familjen e viktimave.







