Pavarësisht përpjekjeve për rehabilitim dhe mbështetjes në rritje nga publiku, vëllezërit Menendez, të dënuar për vrasjen makabre të prindërve të tyre në vitin 1989, do të mbeten në burg. Ky ishte vendimi i marrë të premten nga komisioni gjyqësor i Departamentit të Shërbimeve Korrektuese dhe të Rehabilitimit të Kalifornisë.
Ashtu si një ditë më parë për vëllain Erik, edhe kërkesa për lirim me kusht e Lyle Menendez u refuzua plotësisht. Të dy do të kenë mundësi të rishikojnë çështjen e tyre vetëm pas tre vitesh, sipas një deklarate zyrtare.
Një rast që ka tronditur Amerikën për dekada
Vëllezërit u bënë të famshëm në SHBA pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e prindërve të tyre të pasur, në vilën e tyre luksoze në Beverly Hills, duke përdorur armë gjahu. Ata u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa gjyqi i tyre në vitet ’90 ishte një nga të parët që u transmetua drejtpërdrejt në televizion.
Rasti u rikthye sërish në vëmendje vitin e kaluar përmes një serie televizive dhe një dokumentari në Netflix, që shtynë opinionin publik të rishqyrtojë ngjarjen.
Akte abuzimi
Në vitet e fundit, pretendimet e vëllezërve se kishin qenë viktima të abuzimeve seksuale nga babai i tyre, kanë marrë vëmendje të re, veçanërisht pas nisjes së lëvizjes #MeToo. Këto detaje kanë bërë që shumë njerëz përfshirë edhe figura publike si Kim Kardashian të kërkojnë lirimin e tyre.
Në maj të këtij viti, një gjykatës vendosi të reduktonte dënimin e tyre, duke i bërë ata të pranueshëm për lirim me kusht. Por komisioni gjyqësor hodhi poshtë shpresat, duke deklaruar se të dy vëllezërit vijojnë të përbëjnë rrezik për shoqërinë.







