BOTA /

Trump i vendos ultimatum Putinit: 50 ditë për paqe me Ukrainën

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, Trump u shpreh “shumë i zhgënjyer” nga qëndrimi i Putinit dhe bëri të qartë se do të përdorë tregtinë si mjet presioni diplomatik.

Shkruar nga Versus

 

Trump i vendos ultimatum Putinit: 50 ditë për paqe me Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar sanksione ekonomike të pashembullta ndaj Rusisë dhe aleatëve të saj, nëse Presidenti rus Vladimir Putin nuk pranon një marrëveshje paqeje me Ukrainën brenda 50 ditësh.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, Trump u shpreh “shumë i zhgënjyer” nga qëndrimi i Putinit dhe bëri të qartë se do të përdorë tregtinë si mjet presioni diplomatik.

“Do të vendosim tarifa shumë të ashpra nëse nuk arrijmë një marrëveshje brenda 50 ditësh,” deklaroi Trump. “Unë e përdor tregtinë për shumë gjëra, por është shumë e mirë për t’i dhënë fund luftërave.”

Sipas Presidentit amerikan, tarifat do të jenë “dytësore” dhe do të përfshijnë aleatët kryesorë tregtarë të Moskës, si Kina dhe India, duke i goditur me taksa mbi 100 përqind nëse vazhdojnë të blejnë naftë, gaz dhe mallra të tjera nga Rusia.

Në Kongres, ndërkohë, përfaqësues nga të dyja partitë po punojnë për një projektligj që do të vendosë tarifa deri në 500% ndaj vendeve që nuk ndërpresin tregtinë energjetike me Rusinë. Ky projekt ka mbështetje të gjerë në Senat, por po pret dritën jeshile nga Trump për të avancuar.

Rutte: “Një lajm i shkëlqyer për Ukrainën”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e mirëpriti vendimin e Trump, duke e cilësuar atë si presion real ndaj Kremlinit.

“Nëse do të isha Putin dhe do të dëgjoja këtë njoftim, do ta merrja më seriozisht nevojën për negociata paqeje,” u shpreh Rutte.

NATO do të blejë armë nga SHBA për Ukrainën

Trump bëri gjithashtu të ditur një marrëveshje të re armësh me vendet anëtare të NATO-s, që parashikon blerjen e sistemeve ushtarake amerikane për t’i përdorur vetë ose për t’i transferuar në Ukrainë.

Sipas Presidentit, këto shpenzime nuk do të përballohen nga taksapaguesit amerikanë, por nga vetë shtetet e NATO-s.

Rutte konfirmoi se Ukraina do të përfitojë nga dërgesa masive armësh, ndërsa përmendi vende si Gjermania, Kanadaja, Norvegjia, Suedia, Britania e Madhe dhe Danimarka si pjesë e kësaj nisme.

“Shpejtësia është thelbësore. Pajisjet ushtarake duhet ta detyrojnë Putinin të rishqyrtojë qëndrimin e tij ndaj paqes,” përfundoi Rutte. /Versus.al

Tags:

trump rusi

Poll