Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë në një fazë të ndjeshme negociatash tregtare, me qëllimin për të arritur një marrëveshje përpara datës 9 korrik, kur skadon armëpushimi aktual në luftën tregtare mes dy palëve.
Ndërsa fillimisht BE kishte synuar një marrëveshje reciproke dhe të barabartë, tashmë Brukseli pranon se po punon drejt një marrëveshjeje “asimetrike”, me qëllim shmangien e një përshkallëzimi të mëtejshëm.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar publikisht se mund të rrisë tarifat ndaj produkteve evropiane deri në 50%, nëse nuk arrihet një marrëveshje e kënaqshme deri në përfundimin e armëpushimit.
Ai madje sugjeroi se afati i 9 korrikut mund të shkurtohet dhe paralajmëroi se vendet evropiane do të duhet të përballen me tarifa të rënda.
Një lëvizje e tillë do të prekte veçanërisht sektorët strategjikë të industrisë evropiane si automjetet, çeliku, aluminin, teknologjinë, farmaceutikën dhe prodhimin ajror — me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi të mëdha si Gjermania dhe Italia.
Tensioni është rritur edhe pas vendimit të SHBA-së për të ndërprerë menjëherë bisedimet tregtare me Kanadanë, në kundërshtim ndaj një takse mbi shërbimet digjitale që Kanadaja i ka vendosur kompanive teknologjike amerikane.
Trump e cilësoi këtë si një “sulm të hapur”, duke akuzuar Kanadanë se po kopjon qasjen e Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, ai paralajmëroi edhe Brukselin se “do të mësojë të mos sillet keq me SHBA-në”.
Në Bruksel, Komisioni Evropian ka mbajtur një ton të kujdesshëm, duke shmangur fjalë si “hakmarrje” apo “kundërmasa” dhe duke theksuar përgatitjen për çdo skenar.
Megjithatë, zyrtarët evropianë kanë nënvizuar se rregullat e reja për gjigantët teknologjikë (si DSA dhe DMA) nuk janë pjesë e negociatave dhe nuk do të ndryshohen nën presionin amerikan.
Ndërkohë, një mundësi alternative që po shqyrtohet nga BE është krijimi i një modeli të ri të Organizatës Botërore të Tregtisë, pa përfshirjen e SHBA-së, në bashkëpunim me 12 vendet e Marrëveshjes Trans-Paqësore (CPTPP).
Ndërkohë, palët vazhdojnë negociatat. Komisioneri evropian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, dhe përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Greer, zhvilluan një bisedë konstruktive, dhe nga të dyja anët po vijnë sinjale për një zgjidhje të mundshme, edhe pse në kushte të pabarabarta./Marrë nga Corriere della Sera







