Faruk Fatih Özer, themeluesi i borsës së kriptomonedhave Thodex, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në Burgu me Siguri të Lartë Tip F të Tekirdağit, ku po qëndronte pas arrestimit të tij për mashtrim të shumëfishtë. Ekipet shëndetësore konfirmuan vdekjen e tij dhe Prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen.
Trupi i tij u dorëzua për familjen pas kryerjes së procedurave ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Spitalit Rajonal Tekirdağ.
Sipas mediave turke Özer u gjet i varur me një çarçaf në derën e banjos së qelisë së tij.
Ministri turk i Drejtësisë, Yılmaz Tunç, deklaroi se hetimet për vdekjen e tij vazhdojnë dhe se shkaku përfundimtar i vdekjes do të përcaktohet nga rezultati i hetimeve, megjithatë, të dhënat e para sugjerojnë se mund të ketë qenë vetëvrasje.
Ai theksoi gjithashtu se qelitë kanë kamera në hyrje për monitorim.
Özer, i cili kishte ikur nga Turqia në 2021 dhe u kap në Shqipëri më 30 gusht 2022, ishte i përfshirë në një skemë mashtrimi që preku mijëra investitorë.
Ai dhe familjarët e tij, së bashku me të paktën 20 të tjerë, akuzohen për organizim kriminal, mashtrim të sofistikuar dhe larje parash. Sasia e dëmit financiar të shkaktuar arrin mbi 356 milionë lira turke.
Borsa Thodex, e cila fillimisht u quajt Koineks, ishte ndër borsat e para të kriptomonedhave në Turqi dhe kishte instaluar edhe ATM-në e parë të Bitcoinit në vend. Në 2021, dy ditë para ikjes së Özer, sistemi i borsës u mbyll për “mirëmbajtje”, duke lënë investitorët pa akses në fondet e tyre dhe duke shkaktuar një valë padish dhe hetimesh ligjore.
Gjithashtu, gjykata kishte kërkuar 11,190 vite burg për Özer dhe të afërmit e tij, përfshirë vëllezërit e motrën, për shkelje të shumta penale dhe pastrim parash, si dhe dënime të ndryshme për të tjerët e përfshirë në këtë skemë.
Vdekja e tij vjen ndërsa hetimet për mashtrimin dhe skemën e Thodex vazhdojnë, duke lënë investitorët dhe autoritetet turke në pritje të zbardhjes së plotë të ngjarjeve./Versus.al

