Live Updates /

Shqipëria i jep nesër lamtumirën e fundit Fatos Nanos! Nesër zi kombëtare dhe homazhe në Pallatin e Kongreseve!

*Dita e nesërme është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë. *Më 2 nëntor, në Pallatin e Kongreseve, do të zhvillohen homazhet zyrtare për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të tranzicionit. *Ceremonia do të nisë në orën 08:30, me pritjen e qytetarëve që duan të nderojnë Nanon, ndërsa nga ora 11:15 pritet të marrin pjesë personalitete të larta të jetës politike dhe shoqërore. *Ish-kryeministri grek George A. Papandreou ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos. *Në mesazhin e tij, Papandreou kujton me respekt bisedat dhe bashkëpunimin me ish-kryeministrin shqiptar, duke e përshkruar atë si një mik të çmuar dhe një urë të rëndësishme bashkëpunimi për Ballkanin.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Dita e nesërme është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë. *Më 2 nëntor, në Pallatin e Kongreseve, do të zhvillohen homazhet zyrtare për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të tranzicionit. *Ceremonia do të nisë në orën 08:30, me pritjen e qytetarëve që duan të nderojnë Nanon, ndërsa nga ora 11:15 pritet të marrin pjesë personalitete të larta të jetës politike dhe shoqërore. *Ish-kryeministri grek George A. Papandreou ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos. *Në mesazhin e tij, Papandreou kujton me respekt bisedat dhe bashkëpunimin me ish-kryeministrin shqiptar, duke e përshkruar atë si një mik të çmuar dhe një urë të rëndësishme bashkëpunimi për Ballkanin.

6 Postime
52 MINUTA ME PARE

'I dha çështjes së Kosovës...', familja Thaçi ngushëllon familjen Nano: I hapi udhë brezit të ri politik!

Shqipëria i jep nesër lamtumirën e fundit Fatos Nanos! Nesër
Fatos Nano/Hashim Thaçi

Familja Thaçi, në emër të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Në një mesazh të dërguar familjes Nano, ata theksojnë pikëllimin e thellë për humbjen e figurës së njohur të politikës shqiptare dhe përshkruajnë kontributin e tij historik në transformimin e Shqipërisë nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste.

Familja Thaçi kujton gjithashtu përkrahjen që Fatos Nano i dha çështjes së Kosovës gjatë periudhës së paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999, duke e cilësuar atë si një trashëgimi të çmuar të vlerave kombëtare.

Mesazhi përfundon me një nderim të thellë për ish-kryeministrin Nano, duke theksuar se kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i përjetshëm.

Mesazhi i plotë:

E nderuar Familje Nano,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Në këto ditë dhimbjeje, në emër të Familjes Thaçi dhe të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, përfaqësuesve të institucioneve të shtetit shqiptar dhe miqve të z. Nano.

Fatos Nano i përket gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste. Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik.

Përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare.

Kujtimi për ish-kryeministrin shqiptar, Fatos Nano, do të mbetet gjithmonë i përjetshëm.

Me respekt të thellë,

Familja Thaçi/Versus.al

3 ORE ME PARE

Shqipëria i jep lamtumirën e fundit Fatos Nanos: Detaje nga homzhet që do të mbahen nesër në nder të ish-kryeministrit

Shqipëria i jep nesër lamtumirën e fundit Fatos Nanos! Nesër
Fatos Nano

Dita e nesërme është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në një spital privat në Tiranë, pas komplikacioneve të rënda shëndetësore.

Më 2 nëntor, në Pallatin e Kongreseve, do të zhvillohen homazhet zyrtare për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të tranzicionit.

Ceremonia do të nisë në orën 08:30, me pritjen e qytetarëve që duan të nderojnë Nanon, ndërsa nga ora 11:15 pritet të marrin pjesë personalitete të larta të jetës politike dhe shoqërore.
Në emër të familjes, një nga të afërmit e tij do të mbajë një fjalë përshëndetëse, ndërsa do të flasë edhe kryeministri Edi Rama, pasuesi i Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste.
Në ceremoni janë ftuar gjithashtu përfaqësues të politikës kosovare dhe miq ndërkombëtarë të ish-kryeministrit.

Në orën 12:05, me nderime shtetërore, trupi i Fatos Nanos do të përcillet nga Pallati i Kongreseve drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet përgjithmonë.

Më herët, në shtëpinë e tij, familja do të zhvillojë në privatësi shërbesën fetare ortodokse, në përputhje me besimin e tij dhe martesën e bekuar në Kishën Ortodokse Shqiptare.

Në respekt të kujtimit të tij, flamujt kombëtarë në të gjitha institucionet publike do të ulen në gjysmë shtizë, ndërsa në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje mbarëkombëtare.

Fatos Nano, që ka shërbyer tre herë si kryeministër, do të kujtohet si një nga themeluesit e epokës postkomuniste, lider historik i së majtës shqiptare dhe një vizionar që besoi në rrugën evropiane të vendit./Versus.al

 

3 ORE ME PARE

Ish-kryeministri grek për Fatos Nanon: Shqipëria humbi një themelues të epokës postkomuniste, unë humba një mik të dashur

Shqipëria i jep nesër lamtumirën e fundit Fatos Nanos! Nesër
George Papandreou dhe Fatos Nano

Ish-kryeministri grek George A. Papandreou ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos.

Në mesazhin e tij, Papandreou kujton me respekt bisedat dhe bashkëpunimin me ish-kryeministrin shqiptar, duke e përshkruar atë si një mik të çmuar dhe një urë të rëndësishme bashkëpunimi për Ballkanin.

“Lajmi për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos më mbush me pikëllim dhe reflektim të thellë. Fatosi nuk ishte vetëm një udhëheqës politik me rëndësi historike për Shqipërinë, por edhe një mik personal, si dhe një socialdemokrat me të cilin ndanim bindjen se rajoni ynë mund të kapërcejë të kaluarën e dhimbshme dhe të ndërtojë së bashku një të ardhme demokratike dhe evropiane.

E njoha Fatosin në fillim të viteve ’90, në një periudhë kur Shqipëria po dilte nga nata e gjatë e totalitarizmit. Ai i përkiste asaj gjenerate të parë, të guximshme reformatorësh që besonin se liria, demokracia dhe drejtësia sociale mund të zinin rrënjë në një shoqëri që kishte njohur vetëm izolim dhe shtypje. Fatos Nano i dha zë aspiratave demokratike dhe evropiane të popullit shqiptar, duke udhëhequr transformimin e ish-Partisë së Punës në Partinë Socialiste të Shqipërisë, e cila u bë forca kryesore e rilindjes së vendit.

Rrugët tona u kryqëzuan më fort gjatë një prej momenteve më të vështira të historisë moderne të Shqipërisë — gjatë krizës së vitit 1997, kur kolapsi i skemave piramidale e zhytën vendin në kaos. Ndërsa Fatos Nano ishte në burg gjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe të trazuar, ai u lirua pas zbutjes së dhunës dhe tronditjeve politike. Pas lirimit të tij në qershor 1997, ai mori detyrën e kryeministrit dhe luajti një rol vendimtar në rivendosjen e rendit demokratik dhe autoritetit shtetëror.

Në atë kohë, kur Greqia mbante Presidencën e Këshillit të Europës, unë (si Zëvendësministër i Jashtëm) bashkëpunova ngushtë me Nanon dhe institucionet shqiptare për të ndihmuar në konsolidimin e stabilitetit dhe shtetit të së drejtës.

Isha dëshmitar i vendosmërisë së tij për të parandaluar rrëshqitjen e Shqipërisë në konflikt civil dhe i guximit të tij për të rivendosur autoritetin legjitim. Pak njerëz jashtë Shqipërisë mund të kuptojnë sa e madhe ishte ajo sfidë — dhe sa vendimtare ishte udhëheqja e tij për të mbajtur të gjallë kursin demokratik të vendit.

Vendosmëria e tij për ta çuar vendin përpara, për të nxitur pajtimin dhe për të rikthyer besimin tek institucionet publike ishte e dukshme gjatë gjithë asaj periudhe të vështirë.
Udhëheqja e tij, në një moment kur e ardhmja demokratike e Shqipërisë varej në fije të perit, u tregua vendimtare për ta mbajtur kombin në rrugën e rimëkëmbjes dhe reformave.

Fatos Nano ishte një njeri i mendimit dhe i bindjeve të thella. Me profesion ekonomist, ai kuptonte rrënjët strukturore të tranzicionit — nevojën për reforma, por edhe për mbrojtje sociale. Ai besonte se demokracia pa dinjitet është e paplotë. Më fliste shpesh për vizionin e tij për Shqipërinë si një demokraci moderne evropiane, të integruar në familjen evropiane dhe transatlantike, por të rrënjosur në traditat e saj të qëndrueshmërisë dhe krenarisë. Në këtë kuptim, ai ishte një socialdemokrat i vërtetë — duke ndërlidhur lirinë me solidaritetin.

Ai përjetoi përndjekje dhe burgosje pas ndryshimit të regjimit, por u rikthye në jetën publike jo me hidhërim, por me bindjen se pajtimi ishte i domosdoshëm për shërimin e kombit të tij. Karriera e tij e gjatë politike, me ngritjet dhe uljet e saj, pasqyron udhëtimin e trazuar të vetë popullit shqiptar: nga izolimi drejt hapjes, nga varfëria drejt shpresës, nga mosbesimi drejt bashkëpunimit. Nën drejtimin e tij, Shqipëria bëri hapa vendimtarë drejt Bashkimit Evropian, forcoi institucionet e saj dhe nisi procesin e reformave gjyqësore dhe administrative.

Miqësia jonë u ndërtua mbi një mirëkuptim të përbashkët: se paqja dhe përparimi në Ballkan varen nga dialogu, respekti i ndërsjellë dhe bashkëpunimi rajonal. Fatosi dhe unë punuam së bashku për ta promovuar këtë vizion — të një Ballkani që nuk shikon më me frikë brenda vetes, por me besim drejt botës. Ai besonte, ashtu si unë, se demokracia dhe drejtësia sociale janë të pandashme nga paqja dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Sot, ndërsa e kujtojmë, duhet të nderojmë edhe trashëgiminë e tij: guximin për të udhëhequr në kohë pasigurie, vullnetin për të bërë kompromis në emër të paqes dhe besimin se popujt tanë mund të kapërcejnë ndarjet e historisë.

Shqipëria ka humbur një nga themeluesit e epokës së saj postkomuniste. Ballkani ka humbur një zë të maturisë dhe arsyes. Dhe unë kam humbur një mik të dashur.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij — dhe qoftë jeta e tij një kujtesë se edhe në kohët më të vështira, udhëheqja e udhëhequr nga parimet mund t’i ndihmojë kombet të gjejnë rrugën e tyre drejt demokracisë dhe shpresës”, ka reaguar ai.

7 ORE ME PARE

Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, ish-presidenti Rexhep Meidani: Lamtumirë koleg i tranzicionit

Shqipëria i jep nesër lamtumirën e fundit Fatos Nanos! Nesër

Ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të Fatos Nanos. Nëpërmjet një postim në Facebook, teksa i shpreh ngushëllime familjes, ai shkruan se Nano u largua me dinjitet nga pushteti dhe politika.

“Lamtumirë Fatos Nano, koleg i tranzicionit U tërhoqe me dinjitet e shpejt nga pushteti dhe politika, Por, për fat të keq, u largove para kohe nga shoqëria dhe jeta. Ngushëllime familjes!”, shkruan Meidani. Versus.al

9 ORE ME PARE

E diela, ditë zie kombëtare pas vdekjes së Fatos Nanos, FSHF shtyn ndeshjet e planifikuara

Shqipëria i jep nesër lamtumirën e fundit Fatos Nanos! Nesër

Dita e diel është shpallur Ditë Zie Kombëtare pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano. Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se më 2 nëntor ndeshjet e planifikuara në kampionatin “Abissnet Superiore”, Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë, Kategorinë e Tretë, kampionatin e vajzave dhe kampionatet e moshave do të shtyhen.

Në kampionatin “Abissnet Superiore”, takimet e ditës së diel do të spostohen të hënën në të njëjtin orar, ndërsa ndeshjet që ishin planifikuar për të hënën do të luhen të martën në orën 16:00.

Abissnet Superiore, java 10

Tirana – Bylis, 03.11.2025, 14:00

Dinamo City – Teuta, 03.11.2025, 17:00

Flamurtari – AF Elbasani, 03.11.2025, 17:00

FK Vora – Partizani, 04.11.2025, 16:00

Egnatia – Vllaznia, 04.11.2025, 16:00

Në Kategorinë e Parë, pesë ndeshjet që ishin planifikuar të luhej të dielën do të spostohen të hënën në orën 14:00. Të gjitha ndeshjet e javës së 10-të të Kategorisë së Parë do të zhvillohen të hënën.

Kategoria e Parë, java 10   

Iliria – Burreli 03.11.2025 14:00

Kukësi – Kastrioti  03.11.2025 14:00

AF Luftëtari – Besa  03.11.2025 14:00

Laçi – Lushnja  03.11.2025 14:00

Pogradeci – Apolonia 03.11.2025 14:00

Skënderbeu – Korabi 03.11.2025 17:00

Në Kategorinë e Dytë, ndeshjet e Grupit A do të luhen sipas programit të shtunës, ndërsa takimet e Grupit B, të planifikuara për të dielën, do të spostohen të hënën në orën 13:00.

Partizani B – Devina, 03.11.2025, 13:00

Oriku – Maliqi, 03.11.2025, 13:00

Butrinti – Tomori, 03.11.2025, 13:00

Këlcyra – Eagle Football, 03.11.2025, 13:00

Ashtu siç është bërë e ditur më parë, në të gjitha ndeshjet e kampionateve “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë do të mbahet një minutë heshtje në nder të kujtimit të Fatos Nanos. Versus.al

10 ORE ME PARE

“Miku im i dikurshëm i rigjetur sërish”, Rama ndan video-kartolinë lamtumire për Fatos Nanon

Shqipëria i jep nesër lamtumirën e fundit Fatos Nanos! Nesër

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ndarjen nga jeta të ish-liderit historik të socialistëve, Fatos Nanos. Nëpërmjet një video-kartoline lamtumire të shoqëruar me mbishkrim, Rama shkruan se Nano nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet e tij dhe të socialistëve.

“Mirëmëngjes dhe me këtë videokartolinë lamtumire për liderin historik të socialistëve, mikun tim të dikurshëm e të rigjetur sërish, Fatos Nanon, i cili u nda nga jeta pas një lufte sfilitëse me sëmundjen, por që nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet tona e nga vendi i nderit në historinë e familjes sonë të madhe, u përcjell të gjithë atyre që e patën kryetar, shok e mik, ngushëllimet e mia vëllazërore”- shkruan kreu i qeverisë. Versus.al

Për lajmin e ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit të vendit pati shumë reagime të politikanëve shqiptarë në Shqipëri e Kosovë të cilët e cilësuan Nanon si liderin historik që reformoi PS-në dhe ndër të vetmit liberalë që lejoi frymën e mendimit të lirë brenda forcës politike që drejtonte. 
 
Qeveria shpalli 2 nëntorin ditë zie kombëtare, ndërsa të dielën duke nisur ngaora 08:30 në Pallatin e Kongreseve do të mbahen homazhet për t'i dhënë lamtumirën e fundit, atij që konsiderohet si lideri historik i Partisë Socialiste. Versus.al

Poll