Një video e regjistruar paraditen e së hënës nga një pasagjer i trenit S9 tregon dhjetëra tanke duke u transportuar me tren nga Berlini në drejtim të panjohur.
Koha e këtij transferimi të trenave përkon me njoftimin e Ministrisë së Brendshme gjermane për përmirësimin e strehimoreve të mbrojtjes civile, gjë që përforcon debatin për gatishmërinë e shtuar të Gjermanisë përballë përplasjeve të mundshme ushtarake.
Forcimi i masave të sigurisë vjen në kohën e përkeqësimit të situatës në Ukrainë dhe kërcënimeve në rritje nga Rusia për të përshkallëzuar armiqësitë me Perëndimin.
Siç u bë e ditur, qeveria gjermane ka nisur procedurat për rinovimin dhe krijimin e strehimoreve të reja të mbrojtjes civile. Gjermania thuhet se po shqyrton skenarët e konfliktit ushtarak, me ministrin e Mbrojtjes që theksoi se vendi duhet të jetë gati për luftë deri në vitin 2029.
Qeveria gjermane ka miratuar udhëzime të reja për mbrojtjen e përgjithshme të vendit, duke pranuar kërcënimin ushtarak me të cilin përballet për herë të parë në dekada. Veprimet përfshijnë informimin e qytetarëve për strehimoret më të afërta, promovimin e krijimit të "strehëzave në shtëpi" dhe shndërrimin e bodrumeve dhe garazheve private të qytetarëve në strehimore të sigurta.
Mobilizimi i pajisjeve ushtarake dhe fokusi në mbrojtjen civile sugjerojnë se Gjermania po i merr seriozisht zhvillimet gjeopolitike. Qytetarëve u kërkohet të jenë vigjilentë, të informohen për strukturat mbrojtëse në dispozicion dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në rast emergjence.








