BOTA /

Vjen vala e dytë e të nxehtit afrikan, OBSH jep alarmin për Evropën: Java më vdekjeprurëse!

Në një deklaratë të publikuar të martën, OBSH paralajmëroi se vala e re e të nxehtit mund të ketë pasoja serioze për shëndetin publik, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve të shtojnë masat për mbrojtjen e popullsisë.

Shkruar nga Versus

Vjen vala e dytë e të nxehtit afrikan, OBSH jep alarmin për

Evropa po përgatitet për një tjetër valë të fortë të të nxehtit, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për pasojat që mund të sjellin temperaturat ekstreme, duke paralajmëruar se kontinenti mund të përballet me "javën më vdekjeprurëse".

Në një deklaratë të publikuar të martën, OBSH paralajmëroi se vala e re e të nxehtit mund të ketë pasoja serioze për shëndetin publik, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve të shtojnë masat për mbrojtjen e popullsisë.

Sipas parashikimeve, temperaturat në Portugali dhe në jug të Spanjës pritet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim, duke rritur ndjeshëm rrezikun për goditje nga nxehtësia, zjarre dhe probleme të tjera të lidhura me temperaturat ekstreme.

Për t'u përgatitur për situatën, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, zhvilloi të hënën një takim urgjent me përfaqësues të 41 vendeve të rajonit, Komisionit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile. Në fokus të diskutimeve ishin mësimet e nxjerra nga vala e fundit e të nxehtit dhe masat që duhet të merren për të përballuar episodin e ri.

Në deklaratën e tij, Kluge theksoi se vendet që kishin hartuar plane kombëtare për mbrojtjen e shëndetit gjatë valëve të të nxehtit reaguan më shpejt dhe arritën të mbronin më mirë qytetarët gjatë temperaturave ekstreme të muajit qershor.

Megjithatë, ai nënvizoi se më pak se gjysma e shteteve anëtare të OBSH-së në Evropë disponojnë aktualisht plane të tilla, duke i bërë ato më të cenueshme ndaj pasojave të motit ekstrem.

Ekspertët kanë vlerësuar se vala e të nxehtit që goditi Evropën në periudhën 20–28 qershor ishte më e rënda e regjistruar ndonjëherë në kontinent. Temperaturat shumë të larta shkaktuan ndërprerje në prodhimin e energjisë elektrike, dëmtuan infrastrukturën dhe ushtruan presion të madh mbi sistemet shëndetësore.

Sipas shkencëtarëve, kjo valë ekstreme e të nxehtit ishte pothuajse me siguri pasojë e ndryshimeve klimatike, të cilat po rrisin frekuencën dhe intensitetin e fenomeneve të tilla në Evropë dhe në mbarë botën.

Franca, Holanda dhe Belgjika raportuan rreth 3.700 vdekje shtesë gjatë periudhës së valës së fundit të të nxehtit, megjithëse autoritetet kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për të dhëna paraprake dhe se bilanci mund të rritet pas analizave përfundimtare.

Gjatë valës së fundit, temperaturat arritën deri në 40 gradë Celsius në disa rajone të Evropës, ndërsa autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se vala e re mund të jetë edhe më e rëndë nëse nuk merren masa parandaluese në kohë./Versus.al

Poll