Një raport konfidencial i Ministrisë së Brendshme, e parë nga gazeta franceze Le Monde, shpjegon në detaje peshën e jashtëzakonshme që ka marrë trafiku i drogës, veçanërisht ai i kokainës në Francë, të cilin autoritetet e përkufizojnë si një “tsunami i bardhë” dhe e cilësojnë si “një kërcënim ekzistencial për vendin”.
Sipas këtij dokumenti sekret, më shumë se 200 mijë persona dyshohet se janë të përfshirë në Francë në rrjetet e shpërndarjes me pakicë të drogës, përveç 5 mijë krerëve të bandave dhe rreth 100 importuesve të mëdhenj nga Amerika Latine.
Në raport flitet për lindjen e një “kundërkulture të trafikantëve”, të cilët nuk hezitojnë të shfaqen publikisht. Një shembull i bujshëm është “konferenca për shtyp” e grupit DZ Mafia më 6 tetor 2024, kur disa trafikantë u filmuan me fytyra të mbuluara dhe emrin e organizatës në sfond, për të distancuar veten nga dy vrasje brutale që tronditën opinionin publik në Marsejë: vrasja “me një barbarizëm të paparë më parë” e një djali 15-vjeçar dhe e një babai që punonte si shofer Uber.
Përfaqësuesit e DZ Mafia, një nga organizatat e shumta kriminale në territorin francez, deklaruan me zë të modifikuar: “Nuk kemi qenë ne autorët e këtyre vrasjeve, por kemi mjaft njerëz, automjete dhe armë për të vepruar, nëse do të na detyrojnë.”
Fakti që trafikantët nuk fshihen më, dëshmohet edhe nga ajo që ndodhi në lagjen e vështirë Escanaux, në Bagnols-sur-Cèze, pranë Avinjonit.
Për të kompensuar banorët për problemet që u shkaktonte trafiku i drogës në pallat, trafikantët shpërndanë në kutitë postare një letër, ku ofronin ndihmë për pazar, riparime shtëpie ose materiale shkollore për fëmijët — një metodë klasike e importuar nga Amerika Latine për t’i dhënë krimit të organizuar një dimension social, duke u bërë të pazëvendësueshëm në jetën e përditshme të njerëzve në nevojë.
Franca është bërë vendi europian me penetrimin më të shpejtë të narkotrafikut, për disa arsye: përveç kërkesës së lartë (3.7 milionë francezë kanë provuar kokainë të paktën një herë në jetë, dhe 1.1 milionë konsiderohen përdorues të rregullt – të paktën një herë në vit), vendi ka 5,500 km vijë bregdetare, aeroportin më të madh të Europës (Roissy-Charles de Gaulle), dhe një pozicion gjeografik qendror që e bën një destinacion kryesor dhe një pikë tranziti për drogën.
Raporti i titulluar “Gjendja e kërcënimit nga trafiku i lëndëve narkotike”, i hartuar nga zyra antidrogë OFAST e Ministrisë së Brendshme, konstaton një bum të prodhimit global të kokainës: në vitin 2024 janë prodhuar 4,000 ton, nga të cilat Kolumbia prodhoi 2,700 ton vetëm në vitin 2023 (+53% krahasuar me 2022), ndërsa Peruja 900 ton.
Ndërkohë, çmimi i shitjes me pakicë në Francë ka rënë: nga 70 euro/gram në vitin 2010 në 58 euro/gram në 2024.
Metodat e transportit janë gjithnjë e më të sofistikuara: nga protezat false të shtatzënisë, rrobat e lagura me kokainë në formë të lëngshme, deri te procesi kompleks i dissimulimit kimik, ku kokaina shkrihet në tretës kimikë, përzihet me produkte të zakonshme (shampo, kremra), dhe më pas nxirret sërish në laboratorë të specializuar.
Territoret e Francës në det të hapur përdoren shpesh si pika tranziti: Martinika, Guadelupa, Guiana dhe Polinezia Franceze.
Në këto vende, si p.sh. në aeroportin e Caiennes, çdo pasagjer i nënshtrohet kontrollit antidrogë.
Në një operacion të quajtur “historik” në Ishujt Marquesas, në mes të korrikut, doganat franceze dhe OFAST kapën një velierë me 1.7 ton kokainë, 230 kg metamfetaminë, 11 armë zjarri dhe 24 karikatorë.
Përveç rrjeteve të vendosura në Francë me lidhje me kartelët e Amerikës Latine, organizatat më aktive janë:
Ndrangheta kalabreze
Mocro Mafia (marokeno-holandeze)
Klanet e Ballkanit
Grupet kriminale turke, aziatike, senegaleze dhe nigeriane.
Një rast veçanërisht i spikatur është karteli meksikan Sinaloa, i cili përveç trafikut të zakonshëm, kishte ngritur një laborator për prodhimin e drogës sintetike afër Saint-Tropez, i cili u zbulua dhe u shkatërrua në maj./Marrë nga Corriere della Sera







