
Një zjarr i madh shpërtheu mbrëmjen e së shtunës pranë aeroportit “Roissy-Charles de Gaulle” në Paris, duke shkaktuar panik dhe një re të dendur tymi të zi që u pa nga kilometra larg.
Sipas mediave franceze, flakët përfshinë një depo të ndodhur në perëndim të zonës së aeroportit, ndërsa autoritetet konfirmuan se deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Gros nuage de fumée côté ouest de Roissy-CDG. Je l'observe en direct depuis la base des taxis.@tf1 @bfm @InfosFrancaises @afpfr pic.twitter.com/SunHWnqhsB
— Sirius Vescera ???? (@BeSoSirius) May 9, 2026
Në vendngjarje ndërhynë rreth 60 zjarrfikës, të cilët luftuan për disa orë për të vënë situatën nën kontroll. Shërbimet e emergjencës bënë të ditur se ekipet vijuan operacionin edhe gjatë orëve të vona të natës.
Rrethanat që çuan në shpërthimin e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e incidentit.
Nga ana tjetër, grupi “Aéroport de Paris” (ADP) sqaroi se depoja ku shpërtheu zjarri nuk ka lidhje direkte me infrastrukturën aeroportuale. Sipas ADP-së, incidenti nuk ndikoi në funksionimin e aeroportit dhe trafiku ajror vijon normalisht edhe këtë të diel.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale nga dëshmitarët tregojnë flakë të mëdha dhe një re të zezë tymi që u përhap në qiell, duke qenë e dukshme jo vetëm në zonat përreth aeroportit, por edhe nga disa pjesë të kryeqytetit francez.

