
Kryeministri Edi Rama deklaroi në episodin më të fundit të podcastit “Flasim” se Shqipëria ndodhet më pranë se asnjëherë anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas Ramës, progresi i negociatave dhe vlerësimet pozitive të institucioneve europiane tregojnë se vendi ka hyrë në një etapë vendimtare të procesit të integrimit.
“Dje në 9 maj në ditën e Europës Shqipëria e gjeti veten më pranë se kurrë BE. Për herë të parë pas shumë dekadash rruga drejt BE duket si një majë tanimë e kapshme me sy dhe e arritshme në kohën që kemi në dispozicion”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se negociatat kanë avancuar me ritëm të shpejtë dhe se tashmë Komisioni Europian dhe vendet anëtare po diskutojnë raportin e progresit për Shqipërinë.
“Negociatat kanë avancuar me ritëm, Komisioni Europian dhe vendet anëtare janë tanimë në një fazë kyçe të procesit ku diskutojnë raportin e komisionit, që vlerëson se Shqipëria i ka plotësuar detyrat e shtëpisë dhe është e gatshme të hyjë në fazën e mbylljes së negociatave nëpërmjet piketave të ndërmjetme”, deklaroi kryeministri.
Javën që po lëmë pas, Tirana mirëpriti sesionin hapës, preludin e Kongresit Botëror të Ligjit, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shtetit të së drejtës që vjen në Shqipëri.
Kreu i qeverisë se përzgjedhja e Shqipërisë për zhvillimin e këtij eventi elitar të jurisprodencës botërore nuk është rastësi, por lidhet me përkushtimin e mazhorancës për të garantuar paprekshmërinë e sistemit të drejtësisë.
"Kështu që është edhe një herë tjetër një arsye për të qenë jo thjesht krenarë për reformën në drejtësi, por të vendosur për ta çuar atë përpara duke i qëndruar besnik atij hapi dhe atij vendimi historik që kemi marrë për të ndarë politikën nga drejtësia, për të ndarë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ nga pushteti i drejtësisë dhe për t'ia dorëzuar shpatën e drejtësisë zonjës së drejtësisë, e cila ka nevojë në Shqipëri të mbështetet, të ndihmohet, të mirëkuptohet në një proces ku, jo vetëm shpata, por edhe sytë e mbyllur dhe peshorja për të qenë e barabartë dhe e drejtë me të gjithë janë pjesë e kësaj përpjekje të madhe dhe të përbashkët",- tha Rama.

