Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin nacional Bulqizë-Klos, në vendin e njohur si “Plani i Bardhë”, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht.
Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën Halil Gjashi, i cili udhëtonte si pasagjer në njërin prej automjeteve të përfshira në aksident.
Ndërkohë, katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se për ndihmë mjekësore janë transportuar në spital dy drejtuesit e mjeteve, si dhe dy pasagjerë të tjerë, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe zbardhjen e shkaqeve që çuan në këtë ngjarje tragjike.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar dinamikën e përplasjes.

