Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit përsëri në muajin gusht. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues u rrit me 1 pikë dhe qëndron rreth 12 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Përmirësimi ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e tregtisë, industrisë dhe të ndërtimit dhe në një masë më të vogël ndikoi edhe rritja e besimit konsumator. Nga ana tjetër, besimi në sektorin e shërbimeve dha kontribut negativ.
Treguesi i besimit të industrisë regjistroi rritje me 3.4 pikë përqindje në muajin gusht, duke qëndruar rreth 11 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja u ndikua kryesisht nga vlerësimet më optimiste të bizneseve për nivelin e porosive të reja dhe për prodhimin industrial aktual.
Ndërkohë, bizneset presin që prodhimi industrial dhe punësimi në të ardhmen të kenë një rënie të lehtë. Pritjet për çmimet në të ardhmen u rritën në krahasim me muajin e kaluar.
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 2 pikë përqindje në gusht.
Niveli i tij aktualisht qëndron 24 pikë mbi mesataren historike dhe pranë maksimumit historik. Rritja u përcaktua nga vlerësimet pozitive për aktivitetin aktual ndërtues. Niveli i porosive të reja regjistroi rënie. Pritjet për çmimet që bizneset do të vendosin në të ardhmen janë vlerësuar në rënie.
Treguesi i besimit në shërbime shënoi rënie rreth 5 pikë përqindje në muajin gusht. Megjithatë, niveli i tij aktualisht qëndron rreth 14 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia u përcaktua si nga vlerësimet jo optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, ashtu dhe nga ato për nivelin aktual të kërkesës. Pritjet për kërkesën në të ardhmen regjistruan rënie gjatë këtij muaji. Bizneset kanë rishikuar për lart ecurinë e çmimeve në të ardhmen.
Treguesi i besimit në tregti u zgjerua me rreth 6 pikë përqindje në muajin gusht, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet pozitive mbi ecurinë aktuale të biznesit dhe pritjet për punësimin. Bizneset e sektorit presin rritje të ecurisë së biznesit edhe në të ardhmen e afërt. Niveli aktual i treguesit qëndron pranë vlerës më të lartë historike. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar në rritje.
Treguesi i besimit konsumator vijoi rritjen edhe në muajin gusht. Niveli aktual është 1.2 pikë përqindje më i lartë krahasuar me muajin e kaluar dhe 1.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja u përcaktua kryesisht nga pritjet më optimiste për situatën financiare dhe situatën ekonomike në vend. Gjithashtu, balanca aktuale dhe e pritur për blerjet në shuma të mëdha janë rishikuar lehtësisht për lart./Monitor