EKONOMI & MJEDIS /

Alarm në Spanjë / Shfaqet "Dragoi blu", mbyllen përkohësisht disa plazhe 

Autoritetet spanjolle kanë ndaluar përkohësisht larjen në disa plazhe të Alicantes pas zbulimit të një krijese detare të rrallë dhe potencialisht të rrezikshme për njerëzit.

Shkruar nga Versus

Alarm në Spanjë / Shfaqet "Dragoi blu", mbyllen

Autoritetet në Guardamar del Segura, një qytet bregdetar në provincën e Alicante-s, në jug të Spanjës, kanë urdhëruar mbylljen e përkohshme të plazheve për larje, pas shfaqjes në det të dy ekzemplarëve të rrallë të njohur si “dragoi blu” (Glaucus atlanticus).

Kjo krijesë e vogël detare, me një gjatësi prej vetëm 2–3 cm dhe me ngjyrë blu metalike, është një lloj molusku që qëndron me barkun përpjetë mbi sipërfaqen e ujit, duke u kamufluar në mënyrë perfekte me nuancat e detit. Pavarësisht pamjes së tij tërheqëse, dragoi blu mund të jetë i rrezikshëm për njerëzit, pasi grumbullon helmet dhe substanca djegëse nga pre e tij, siç është “caravella portoghese”, dhe i çliron ato në rast kontakti.

Alarm në Spanjë / Shfaqet "Dragoi blu", mbyllen

Ky molusk i rrallë është tipik i Oqeanit Atlantik dhe rrallë shfaqet në Mesdhe. Megjithatë, prania e tij në ujërat spanjolle është bërë më e shpeshtë gjatë muajve të fundit, duke shkaktuar shqetësime për sigurinë e pushuesve. Gjatë javës së parë të gushtit, edhe në Francë dhe në zonën e Baskëve u mbyllën disa plazhe për arsye të ngjashme.

Çfarë ndodh nëse preket?
Përplasja me “dragoin blu” mund të shkaktojë simptoma si djegie të forta në lëkurë, nauze, të vjella, dhe në disa raste të rralla, reaksione alergjike të rënda. Specialistët këshillojnë që, në rast kontakti, të shmanget përdorimi i ujit të freskët dhe vendi i prekur të shpëlahet me ujë deti. Menjëherë më pas, duhet kërkuar ndihmë mjekësore.

Masat e marra nga autoritetet lokale
Më 20 gusht, kryetari i bashkisë së Guardamar del Segura, José Luis Sáez, njoftoi mbylljen e plazheve ku u pikasën dy ekzemplarët, ndaloi larjen dhe u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo shfaqje të mëtejshme. Patrullat e policisë dhe rojet bregdetare intensifikuan monitorimin përgjatë vijës bregdetare.

Alarm në Spanjë / Shfaqet "Dragoi blu", mbyllen

Një ditë më vonë, më 21 gusht, pas kontrolleve të kryera dhe mungesës së gjetjeve të reja, niveli i alarmit u ul nga i kuqi në të verdhë. Kjo do të thotë se larja në det është e lejueshme, por me masa shtesë kujdesi dhe vëmendje të shtuar.

Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën dhe kërkojnë bashkëpunimin e pushuesve për të garantuar sigurinë publike gjatë sezonit turistik.

Poll