EKONOMI & MJEDIS /

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me Barcelonën, si po ndikon informaliteti

Kryeqyteti shqiptar tejkalon disa qytete të Bashkimit Europian dhe qëndron në krye të rajonit për çmime të larta.

Shkruar nga Versus

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me

Tirana barazohet me Barcelonën dhe Pragën për çmimet e qirave të zyrave në zonat qendrore. Kryeqyteti shqiptar tejkalon disa qytete të Bashkimit Europian dhe qëndron në krye të rajonit për çmime të larta. Pavarësisht rritjes së ofertës, ekspertët paralajmërojnë shtim të presionit ndaj çmimeve për shkak të ritmit të zhvillimit të projekteve dhe mënyrës së menaxhimit nga investitorët vendas, të cilët shpesh preferojnë të mbajnë ambientet bosh sesa t’i japin me qira me çmime më të ulëta.

Çmimet e qirave për zyra në qendër të Tiranës vijuan të mbeten 30 euro për metër katror edhe për 6-mujorin e dytë të 2025-s, duke u barazuar me ato të Barcelonës dhe Pragës, dy tregje të konsoliduara në Europë.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Colliers Albania”, Tirana renditet jo vetëm ndër qytetet më të shtrenjta në rajon, por edhe më lart se disa qytete të Bashkimit Europian.

Në Tiranë çmimet e qirave tejkaluan kryeqytetet europiane, si: Portugalia që shënon vlera 29 euro apo Budapesti me çmime 25.5 euro dhe Bukureshti me çmime mesatare 20 euro për metër katror në muaj.

Çmimet e qirave për zyra janë edhe më të larta sesa kryeqytetet e rajonit. Në zonat qendrore të Beogradit çmimet arritën 18 euro për metër katror në 6-mujorin e parë të 2025-s.

Në Zagreb të Kroacisë çmimet janë 17.5 dhe në Sofje të Bullgarisë 16 euro për metër katror në muaj.

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me

Tirana pozicionohet ndër qytetet më të shtrenjta edhe për çmimet e qirave në zonat sekondare. Me një mesatare prej 19 euro për metër katror në muaj, kryeqyteti shqiptar tejkalon disa qytete të rajonit si Beogradi (15 euro), Zagrebi (13 euro) dhe Sofia (11 euro).

Tirana lë pas jo vetëm qytete të rajonit, por edhe disa qytete të Bashkimit Europian si Porto në Portugali, Bratislava, Riga në Letoni apo Lubjana në Slloveni, ku çmimet luhaten nga 15 deri në 16.5 euro për metër katror në muaj.

Stela Dhami partnere drejtuese e “Colliers International” për Shqipërinë dhe Kosovën pohon se barazimi i çmimeve të qirave në qendrën e Tiranës me Barcelonën nuk pasqyron domosdoshmërish një ekuilibër real mes kërkesës dhe ofertës.

Ajo thekson se edhe pse në Tiranë pritet një rritje e ndjeshme e ofertës për zyra përmes projekteve të reja dhe kullave të larta, çmimet mund të mos pësojnë ulje, për shkak të një sjelljeje specifike të tregut.

“Këtu më mirë i mbajnë bosh me muaj apo vite, sesa t’i japin me qira me një çmim normal e më të ulët. Nuk ka financim zyrtar nga bankat që t’u bëjë presion pronarëve për t’i dhënë ambientet aq sa mban tregu”,  shpjegon Dhami.

Sipas Stela Dhamit nga “Colliers Albania”, pavarësisht se çmimet e qirave në Tiranë janë barazuar me qytete të mëdha europiane, tregu vendas nuk i përmbush gjithmonë pritshmëritë e korporatave ndërkombëtare.

“Kërkesë është në rritje, por për çmime maksimale 22 deri 23 euro për metër katror në muaj jo për nivele çmimesh 30 euro në muaj për metër katror. Korporatat serioze funksionojnë me buxhete operative të miratuara nga qendrat e tyre mëmë.

Jo rrallë, çmimet tona u duken artificialisht të larta dhe vendosin që, në afatmesëm, sa kohë që tregu të jetë ky që është, zyrat të mos zhvendosen” thotë Dhami.

Ajo shton se me shtimin e stokut dhe hyrjen në treg të godinave të reja, pritet që presioni ndaj çmimeve të rritet, por ky efekt do të varet nga ritmi i zhvillimit të projekteve dhe mënyra se si do menaxhohen ato nga investitorët vendas, të cilët shpesh preferojnë të mbajnë ambientet bosh sesa t’i japin me qira me çmime më të ulëta.

Tirana po hyn për të katërtin vit radhazi, me qira zyrash më të shtrenjtat në Ballkan. Edhe për 2024-n, çmimet mesatare të qirave te zonat kryesore të biznesit arritën deri në 30 euro për metër katror në muaj, sipas raportit të hartuar nga Stela Dhami, partnere drejtuese e “Colliers International” për Shqipërinë dhe Kosovën.

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me

Ky trend u vërejt edhe në vitet 2022-2023 dhe vijoi edhe gjatë vitit të shkuar.

Sipas raportit “Tregu i Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri – Vështrim i Përgjithshëm 2024”, të “Colliers Albania”, mesatarja e përgjithshme e tregut arriti në 19 euro për metër katror, nga 18 euro në vitin e kaluar.

Për dy kullat e certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare të qëndrueshmërisë, çmimet e qirave për 2024 rezultuan 15 deri në 20% më të larta. Këto objekte po luajnë rol referimi për tregun.

Megjithatë, oferta e këtyre ndërtesave mbetet e kufizuar, pasi aktualisht vetëm dy godina janë të certifikuara sipas këtyre standardeve: “Park Avenue” përgjatë Bulevardit të Ri, me certifikimin “BREEAM Excellent”, dhe “Downtown One”, i cili ka marrë paracertifikimin “LEED Gold”.

“Çmimet e qirasë vazhdojnë të jenë më të larta se mesatarja e rajonit të Ballkanit, në përputhje me presionin e lartë nga investitorët për të arritur kthime të shpejta nga investimet cilësore”, thekson ndër të tjera Stela Dhami, partnere drejtuese e “Colliers International” për Shqipërinë dhe Kosovën.

Çmimet e qirave vijuan të mbeten të larta edhe gjatë 2025-s. Sipas të dhënave të agjencive imobiliare, çmimet e qirave për zyra ndryshojnë ndjeshëm në varësi të vendndodhjes dhe cilësisë së ndërtesës.

Në objekte kulla apo qendra të njohura të biznesit, si: “Arena Center”, “Alban Tower”, “Downtown One”, “Rainbow Center” (ish-Blloku), “MET Building” dhe “Lion Park” ofrohen qira për ambiente zyrash me çmime nga 22 deri në 30 euro në muaj për metër katror, duke reflektuar standard të lartë ndërtimi, por edhe vendndodhje të favorshme për bizneset.

Nga ana tjetër, çmimet për zyrat në zona të ndryshme të Tiranës janë më të ulëta dhe më të përballueshme, por me variacione të dukshme brenda vetë zonës. Në Unazën e Re, qiratë variojnë nga 6 deri në 8 euro në muaj për metër katror, duke e bërë atë një nga zonat më ekonomike për zyra.

Në ish-parku i autobusëve, “21 Dhjetori”, çmimet janë më të larta, duke filluar nga 10 deri në 13 euro në muaj për metër katror.

Zona e Rrugës së Kavajës në Qendër paraqet një gamë prej 15 deri në 23 eurosh në muaj për metër katror, ndërsa ish-Blloku dhe sheshi “Willson” janë ndër më të shtrenjtët në zonat jo-kulla, me çmime që luhaten nga 18 deri në 25 euro në muaj për metër katror.

Në zona si-stacioni i trenit, Bulevardi i Ri dhe Tregu Medreseja te zona 5 Maji, çmimet e zyrave nisin nga 8 deri në 10-12 euro për metër katror në muaj.

Jonian Antoni, CEO në agjencinë imobiliare “Century 21 Albania”, pohon se tashmë prej 4-5 vitesh, çmimet e qirave për zyra mbeten të qëndrueshme. Sipas tij, çmimet mesatare të qirave për ambiente zyrash në ndërtime jo kulla variojnë nga 8 deri në 15 euro për metër katror në muaj.

Ndërsa çmimet mesatare për qiratë e zyrave në ndërtime kulla apo qendra biznesi variojnë nga 22 deri në 30 euro për metër katror në muaj.

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me

Vendasit dominojnë tregun

Ashtu si në vitin paraardhës, kërkesa e biznesit për zyra me qira vijoi të mbetet e qëndrueshme edhe gjatë këtij viti, sipas Jonian Antoni nga “Century 21 Albania”.

“Në tërësi, kërkesa për zyra ka mbetur e qëndrueshme, pa shënuar ndonjë rritje apo rënie të dukshme krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo tregon për një stabilitet në tregun e qirave për zyra.

Dominanca në këtë treg u takon bizneseve vendase, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të kërkesës për hapësira zyrash. Pas tyre vijnë kompanitë e huaja, kryesisht për hapjen e zyrave përfaqësuese apo qendra operacionale në Shqipëri.

Interesant është fakti se muajt shtator dhe tetor regjistrojnë nivelin më të lartë të kërkesës për zyra gjatë gjithë vitit, një prirje që përsëritet nga viti në vit dhe mund të lidhet me rifillimin e aktivitetit të plotë ekonomik pas verës dhe planifikimet e reja të bizneseve për fundvitin”.

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me

Sipas analizës së agjencisë ndërkombëtare për pasuritë e paluajtshme “Colliers” në 2024, në Tiranë mbetën shumë më pak zyra bosh sesa në 2023. Sipas “Colliers”, numri i zyrave të lira ra nga 21.5% në 12.5%.

Drejtoresha e “Colliers Albania”, Stela Dhami, shpjegon se rënia e zyrave bosh lidhet edhe me faktin që shumë ndërtesa të reja, të nisura në ndërtim më parë, si “Alban Tower”, “Met Building” dhe “Downtown One” kanë përfunduar ose janë shumë pranë përfundimit.

“Meqë këto ndërtesa kanë hyrë në përdorim në vitin 2024, shumë kompani të reja, por edhe kompani ekzistuese që janë zhvendosur i kanë zënë këto hapësira.

Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e ndjeshme të normës së vakancës në treg”.

Në analizën e “Colliers” gjithashtu theksohet se tregu po ofron gjithnjë e më shumë hapësira të mëdha dhe fleksibël të Klasit A, që përmbushin standarde ndërkombëtare duke tërhequr si qiramarrës vendas ashtu edhe ndërkombëtarë.

“Një tendencë e dukshme është largimi nga zyrat e përshtatura (konvertuara) drejt ndërtesave cilësore të ndërtuara posaçërisht për zyra.

Banka dhe institucionet financiare po qëndrojnë si nxitësit më të fortë të kërkesës për hapësira premium”, nënvizon zonja Dhami në analizën për ecurinë e tregut të zyrave.

Biznesi IT kryeson kërkesën për zyra

Tregu i zyrave në Shqipëri po përjeton një ndryshim të dukshëm të strukturës së kërkesës, me sektorin e teknologjisë së informacionit (IT) që po fiton gjithnjë e më shumë terren, duke lënë pas dominimin historik të qendrave të thirrjeve.

“Gjatë periudhës 2017–2022, kërkesat për hapësira zyrash dominoheshin nga qendrat e thirrjeve (call center). Fatkeqësisht, kjo kategori nuk është më aq dominuese, në tre vitet e fundit ka pasur rënie të ndjeshme të kërkesave në këtë segment.

Aktualisht, nuk mund të flasim për një kategori që dominon në mënyrë absolute, por nëse do të veçoja një trend të ri në rritje, do të ishte ai i zyrave për shërbime IT.

Kompanitë shqiptare dhe të huaja po zgjedhin të hapin selitë e tyre në Shqipëri, falë kostos së ulët të fuqisë punëtore në këtë sektor.

Këto kompani ofrojnë shërbime IT për tregje ndërkombëtare, duke e kthyer këtë kategori në një nga më premtueset për të ardhmen”, thekson Jonian Antoni.

Si po ndikon ekonomia informale te çmimet e qirave të zyrave

Në Shqipëri, gjatë vitit 2023 operuan 1,454 ndërmarrje me mbi 50 të punësuar, një numër që shënoi rënie me 2% krahasuar me vitin paraardhës. Pjesa më e madhe e këtyre ndërmarrjeve janë të përqendruara në sektorin e industrisë përpunuese, duke përbërë 30% të totalit.

Numri i bizneseve në sektorin e shërbimeve, transportit dhe telekomunikacionit me mbi 50 punonjës është rreth 350.

Megjithëse numri i bizneseve vendase me mbi 50 punonjës mbetet i ulët, agjentët imobiliarë pohojnë se çmimet e qirave për zyra pritet të mbeten të larta.

Përveç rritjes së materialeve të ndërtimit dhe kërkesës së bizneseve për ambiente zyrash bashkëkohore, përdorimi i parasë informale dhe skemave të kleringut në sektorin e ndërtimit, mbetën faktorë, sipas tyre, që po ndikojnë te rritja artificiale e çmimeve.

Stela Dhami, partnere drejtuese e “Colliers International” për Shqipërinë dhe Kosovën, fillimisht sqaron se çmimet janë shpesh artificialisht të larta, sepse në momentin kur bëhen marrëveshjet, ato ndryshojnë dhe shiten më lirë nga sa deklarohen fillimisht.

Sipas zonjës Dhami, fenomene të tjera si kleringu dhe ekonomia gri gjithashtu, nuk e ndihmojnë tregun, në qarkullimin e stokut, pasi ajo që mbetet në fund, shitet me çmime më të larta.

“Ekonomia gri dhe e zezë është bërë pjesë e ndërtimit dhe blerjeve. Kjo ndikon negativisht në funksionimin e tregut të pasurive të paluajtshme.

Qiratë nuk funksionojnë me klering, por mbeten të larta për disa arsye: ndërtuesit kanë kosto të larta ndërtimi, nuk kanë financim nga bankat që t’i detyrojë të japin me qira sa më shpejt dhe presin klientët që paguajnë çmimin që ata kërkojnë”.

Zonja Dhami gjithashtu thekson se një nga sfidat më të mëdha në tregun imobiliar mbetet administrimi i godinave.

“Administrimi i godinave mbetet një nga çështjet më të vështira për mua për t’u adresuar, kryesisht për shkak të mungesës së një oferte të strukturuar dhe serioze nga kompani që ofrojnë shërbime të mirëfillta administrimi.

Shtesë ndaj kësaj sfide është edhe vështirësia që has në procesin e mbledhjes së detyrimeve financiare nga përdoruesit, një problem ende i pranishëm në Shqipëri.

Megjithatë, shpresoj që ndryshimet ligjore të miratuara së fundmi ta lehtësojnë këtë proces, duke i bërë detyrimet më të zbatueshme dhe më të lehta për t’u mbledhur nga konsumatorët.

Vlen të theksohet se në godinat e reja, qoftë rezidenciale apo komerciale, duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë mes banorëve apo qiramarrësve dhe administratës, për të siguruar një transparencë të plotë në menaxhimin e buxhetit dhe shpenzimeve për mirëmbajtje”.

Informaliteti

“Ekonomia gri dhe e zezë është bërë pjesë e ndërtimit dhe blerjeve. Kjo ndikon negativisht në funksionimin e tregut të pasurive të paluajtshme. Qiratë nuk funksionojnë me klering, por mbeten të larta për disa arsye: ndërtuesit kanë kosto të larta ndërtimi, nuk kanë financim nga bankat që t’i detyrojë të japin me qira sa më shpejt dhe presin klientët që paguajnë çmimin që ata kërkojnë”./Monitor

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë barazohen me

Tags:

monitor

Poll